AShAK-u e cilëson pamflet deklaratën ku akuzohet për shkelje

3 Shkurt 2017 - 11:00      

Prishtinë, 3 shkurt - Akuza e kundërakuza janë shkëmbyer ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe një grupi shkrimtarësh, studiuesish e artistësh, shkruan sot Koha Ditore.

Të dyja palët kanë kontestuar punën e njëra-tjetrës, përderisa i është bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të “hetojë” punën e AShAK-ut nëpërmjet një komisioni parlamentar. Pos veprimtarisë shkencore, grupi prej 47 vetash që e kanë nënshkruar deklaratën “AShAK - Cenuese e interesave shkencore, kulturore dhe zhvillimore të Kosovës” ka kritikuar akademikët edhe për zgjedhjet e fundit në këtë institucion. E krejt deklaratën, Kryesia e AShAK-ut e ka cilësuar si një pamflet të pazakontë dhe shprehje të mllefit ndaj këtij institucioni.

Deklarata e studiuesve, shkrimtarëve dhe e artistëve - e cila u është dërguar mediave në një zarf, pa shënime se kush e dërgon dhe vetëm me emrat e nënshkruesve e jo edhe me nënshkrimet e tyre - nis me zgjedhjet e fundit në AShAK, të cilat konsiderohen si “vazhdimësi e një rrënimi të madh e të pakthyeshëm të këtij institucioni”. Ky institucion akuzohet për mungesë të strategjisë shkencore, të projekteve të mëdha e të vogla, platformave zhvillimore të fushave të ndryshme në vend e edhe për mungesë të projekteve shkencore. Sipas këtij grupi, institucioni që çdo vit merr nga buxheti i Kosovës mbi një milion euro ofron ribotim të veprave të vjetruara, “botimin enciklopedik krahinor ‘Kosova’”, konferenca me mëditje të majme, e mosbashkëpunim shkencor me Shqipërinë. “Praktikë e korruptuar” është cilësuar zgjedhja e anëtarëve të rinj të AShAK-ut në dhjetor të vitit të kaluar.

“AShAK-u u përkujdes fort që me këto zgjedhje t’ia ruajë vetes fort fytyrën politike e partiake, në të vërtetë u përkujdes që të shkojë më larg në këtë drejtim, jo vetëm të pranojë politikanë a anëtarë partiakë të së njëjtës parti, zëvendëskryeministra, ministra e ish-ministra dhe ‘sa për ilaç’ një kandidate të partisë tjetër, ish-ministre, për t’ia bashkuar një kandidati ministër të po kësaj partie të pranuar para katër vjetësh që humbi në këto zgjedhje, për t’u bërë akademik i rregullt nga kolegët e vet akademikë, por u kujdes fort që të realizojë hap pas hapi, siç po shihet, zhvendosjen e kabinetit qeveritar në Akademi; zgjedhje pas zgjedhjeve do të jemi dëshmitarë, ky kabinet i tëri do ta zaptojë Akademinë”, shkruhet, ndër të tjera, në deklaratën ku janë të shënuar emrat e Agim Vincës, Qemal Muratit, Sadri Fetiut, Ragip Mulakut, Shefkije Islamajt, Basri Çapriqit, Zake Prelvukajt, Ag Apollonit e të tjerë. Akademia është akuzuar se është “duke pranuar kandidatë servilë e të pazë”. AShAK-u është konsideruar edhe si institucion që hap dyert për anëtarë të rinj në baza krahinore.

“Ftojmë Kuvendin e Kosovës, si financues i këtij institucioni, që t’i shikojë të gjitha pasojat dhe dëmet e veprimtarisë së tillë të Akademisë... në fushë të shkencës, të arteve, të kulturës, dhe në jetën intelektuale e shoqërore në Kosovë”, shkruhet në këtë deklaratë.

Dy ditë pasi deklarata prej tri faqesh u është shpërndarë mediave, Kryesia e AShAK-ut është kundërpërgjigjur.
Sipas këtij institucioni, zgjedhjet për anëtarë të rinj të Akademisë janë zhvilluar sipas të gjitha procedurave të parashikuara me Ligjin për Akademinë dhe me Statutin e Akademisë. Në kundërpërgjigje shkruhet se në adresë të Akademisë nuk është deponuar asnjë vërejtje për kandidatët e zgjedhur.

“Pamfleti është nënshkruar nga 11 pretendentë për t’u zgjedhur anëtarë në kohë të ndryshme, në këto zgje¬dhje 5 syresh. Të tjerët kanë qenë më herët. Ka ndodhur shumë herë, përveç në zgje¬dhjet e para, që një kandidat të mos i ketë marrë votat e nevojshme në një palë zgjedhje, ndër¬sa të jetë zgjedhur në një tjetër më vonë. Ka dhe të atillë që nuk janë zgjedhur. Sido që të jetë, e mi-rëkuptojmë zemërimin e atyre që nuk janë zgjedhur. Po të ishin zgjedhur, sigurisht se nuk do të shfrynin kështu tërë atë mllef ndaj institucionit ku synojnë të jenë dhe ndaj kolegëve të tyre në të njëjtën garë”, shkruhet në kundërreagim.
Janë numëruar 22 nënshkrues të deklaratës si pjesëtarë të Institutit Albanologjik të Prishtinës.

“Në mesin e të nënshkruarve mungojnë vetëm emrat e nxitësve të kësaj fushate dhe të shumë fushatave të tjera, që kanë urrejtje patologjike ndaj Akademisë dhe jo vetëm ndaj saj. Të nënshkruarit nga ky institut dhe nga qarku përreth, para se ta bënin këtë, do të bënin mirë t’i drejtoheshin institucionit ku punojnë ose kanë punuar dhe ta pyesin veten pse u nënshtrohen fushatave e prapaskenave tashmë të lexueshme deri edhe te vetëmandatimi i tyre për të ‘shitur’ dhe ‘blerë’ territore dhe për të shpërndarë cilësime për njerëzit si ‘patriotë’ ose ‘tradhtarë’, varësisht nga shijet e tyre”, shkruhet në kundërreagim. Sipas Kryesisë së AShAK-ut, shumë prej të nënshkruarve të deklaratës janë të identifikueshëm fare lehtë sa i përket filiacionit edhe po¬litik ose të klubit intelektual, e, megjithatë, bëjnë vërejtje për përkatësinë partiake të të tjerëve.

“Krejtësisht primitive tingëllojnë vërejtjet grupore të pamfletistëve lidhur me përkatësinë ra¬jonale të anëtarëve të Akademisë në një vend ku secilën pikë nga qendra e Prishtinës e zë për një orë. Gë¬njeshtra nuk fshi¬het: nga 38 anëtarë sa ka sot Akademia, nga Presheva ka vetëm një anëtar, dhe ai është pranuar më 1993, nga Bu¬ja¬novci ka dy - njëri më 1993, tjetri më 1996, dhe më s’ka pasur. Ka qenë një kandidat në këto zgjedhje dhe ai nuk është kuali¬fikuar për një votë. Por e tërë kjo e zbulon burimin e nxitjes të tërë grupit”, shkruhet në kundërreagim.

Sipas AShAK-ut, janë të çuditshme ftesat e tilla të “pamfletistëve të frustruar për ndërhyrje nga jashtë në punën e institucioneve kështu të larta”. “Diçka e tillë i ka ndodhur kësaj Akademie edhe më herët në regjime pak si tjetër fare. As Kuvendi dhe askush tjetër nuk e ka këtë të drejtë, as këtu dhe as në ndonjë akademi evropiane, të ndërhyjë për çka do qoftë në punën e Akademisë. Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është e vetmja instancë që merret me vlerësimin e punës së Akademisë”, shkruhet në kundërreagimin e Akademisë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...