2 Shkurt 2017 - 11:02
Fituese e çmimit të Festivalit të muzikës popullore është shpallur Ylberina Abdyli me interpretimin e këngës “Shqipëri o vendi im”. Vendin e dytë e ka zënë këngëtarja Besa Krasniqi me “Unë biri yt Kosovë”, ndërsa vendin e tretë Albulena Misini me interpretimin e këngës “Rrjedh në këngë e ligjërime”.
Në përmbylljen e manifestimit “Flaka e Janarit 2017” ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ka vlerësuar bashkëthemeluesit e “Flakës së janarit”, përkatësisht Sabit Rrustemin dhe Hasan Bunjakun, që, sipas tij, kanë bërë që ky manifestim të marrë formë e të bëhet njëri nga manifestimet që më së shumti nxit interesimin e publikut në këtë qytet. Ka rikujtuar motivin e mbajtjes së manifestimit të “Flakës së Janarit”.
“Janari në Gjilan dhe tek shqiptarët shënon muajin e respektit, ashtu siç e kishin të veçantë dëshmorët, heronjtë dhe sakrifica e tyre për ideale për liri dhe pavarësi të shqiptarëve, ashtu edhe në 26 vjet më herët kemi vendosur ta shënojmë me këtë manifestim për respektin për dëshmorët e kombit. Janari sot shënon rënien heroike të Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës e Hakif Zejnullahut, të dielën e fundit shënoi rënien dhe vrasjen e Reshat Ymerit, para disa ditëve të Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, më datën 11 të Rexhep Malës e Nuhi Berishës, më 21 janar ndarjen nga jeta të presidentit historik Ibrahim Rugova, të vrasjes tinëzare të Tahir Zemajt dhe të afërmeve të tij, dhe shumë të tjerëve që shkruan me gjak historinë e shqiptarëve”, ka thënë Haziri.
Ai e ka vlerësuar lart rolin e Idriz Seferit në historinë e popullit shqiptar, figurë së cilës sivjet i është kushtuar edhe krejt manifestimi tashmë tradicional i “Flakës...”. Haziri ka thënë se Idriz Seferi ka rastisur të jetë i Karadakut të Gjilanit, por ai ishte çlirues i Shkupit. “Rastisi të jetë i Gjilanit, por ai i çliroi Gjilanin dhe Anamoravën, ka rastisur të jetë i lindur në këtë pjesë të shqiptarëve, por ka luftuar për pavarësinë e shqiptarëve, dhe sot vazhdohet që idealet e Idriz Seferit të çohen përpara”, ka thënë Haziri.
Në përfundimin e manifestimit, kreu i Komunës së Gjilanit ka vlerësuar se muzika popullore është shtylla e manifestimit të “Flakës së Janarit”. Juria e festivalit të “Fest Flakës së Janarit” ka qenë e përbërë nga Florentina Rushiti-Bajrami, dirigjente, Xhentian Jetishi, profesor i muzikës, dhe Ylber Asllani.
Për afro një muaj në kuadër të “Flakës...” janë mbajtur edhe festivale të tjera, si ai dramës kombëtare “Talia e Flakës” ku fitues u shpall Teatri i Shkupit me shfaqjen “Darka e Thërrimeve” me tekst të Rafet Abazit nën regji të Qëndrim Rijanit. Shfaqja shtjellon kuptimin e dashurisë dhe luftës në mes jetës dhe vdekjes. “Pena e Flakës “ ka qenë një tjetër ngjarje në kuadër të “Falës...” ku janë prezantuar 97 poezi dhe 44 tregime të shkurta konkurruese, ndërsa çmimin e Festivalit e ka fituar Agron Tufa. Në kuadër të ekspozitës “Foto Flaka”, ku ishin ekspozuar 27 fotografi artistike, vetëm fotoja “Kërcimi mbi urën e shenjtë” e autorit Driton Vitia ishte shpallur fituese.
Në këtë manifestim është mbajtur edhe festivali i filmit të shkurtër “Film Flaka” ku janë prezantuar filmat: “Unë jam biri i kurvës”, “Një pikë gjaku”, “Takimi”, “Bisedë me jetën”, “Piskama” dhe një film i shkurtër treminutësh i Burim Baftiut. Gjithashtu janë shfaqur edhe filmat “Toka”, “Biseda”, “Lost in hope “, “Sekretet”, “Besa e Konstandinit” dhe “The eater”. Pjesë e manifestimit ka qenë edhe ekspozita “Peneli i Flakës 2017”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...