2 Shkurt 2017 - 13:02
Menaxheri i tij, Martin Darvill, ka thënë se shkaku i vdekjes së tij ka qenë kanceri në zorrë. Basist, i aftë teknikisht me një zë të butë tenori, Wetton doli në skenën muzikore të Londrës në fund të viteve ’60 dhe në fillim të viteve ’70. Ai ishte pjesë e gupeve të muzikantëve në bendet si “Pink Floyd” dhe “Yes”. Njihej për një lloj të rockut të zbukuruar dhe maksimalist.
“King Crimson”, i themeluar në vitin 1968, ishte një tjetër bend i tillë dhe Wetton iu bashkua në vitin 1972, teksa luajti me kitaristin e bendit Robert Fripp e bateristin Bill Bruford. Ai ishte pjesë e albumeve të bendit si “Larks’ Tongues in Aspic” (1973), “Starless and Bible Black” (1974) dhe “Red” (1974). Fripp e braktisi bendin në mesin e viteve ’70, në kohën kur ishin në prag të suksesit. “Asokohe nuk i kuptoja arsyet e Robertit”, kishte thënë Wetton në vitin 1999. “Dhe ende nuk i kuptoj”.
Megjithatë Wetton vazhdoi të performonte me grupet si “Roxy Music”, “Uriah Heep” dhe “U.K.”, para se të formohej “Asia” në vitin 1981 me bateristin Carl Plamer, kitaristin Steve Howe dhe Geoff Downes në sint, të dy këta të fundit pjesëtarë të bendit “Yes”. Tingëllimi i “Asias” ishte më i kapshëm sesa me pjesëtarët e tjerë të bendit, prandaj edhe arriti sukses të menjëhershëm pas lansimit të albumit debutues, me titull të thjeshtë “Asia”, në vitin 1982. Singli i bendit “Heat of the Moment” arriti të rangohej në pozitën e katërt në top-listën e “Billboard”. Me harmoninë tripjesëshe në refren, është krahasuar me himnet si ai i “Journey”, “Don’t Stop Believing” dhe “More Than a Feelling” e “Boston”. Një tjetër këngë e “Asias”, “Only Time Will Tell” arriti të rangohej e 17-ta në top lista.
“Asia” u shit në miliona kopje dhe bendi shumë shpejt nisi të mbante koncerte nëpër stadiume. Audienca ishte e emocionuar; kritika shumë shpesh ishte e zhgënjyer.
“Në ‘Yes’, King Crimson dhe Emerson, Lake dhe Palmer, më pas pjesëtarë të ‘Asias’ luajtën muzikë me pengesa teknike dhe madhështi simfonike”, kishte shkruar Jon Pareles për një koncert të tyre në vitin 1983. “Grupet si ‘Kansas’ dhe ‘Styx’ morën madhështinë, duke lënë anash eksperimentet.
‘Asia’ imiton imituesit, ekzagjerim konvencional i këngëve pop me madhështi pseudosimfonike”. “Asia” vazhdoi të lansonte albume gjatë viteve ’80, por asnjëri nuk e pati suksesin e të parit. Pjesëtarët e bendit u larguan një nga një, dhe me kohë formacioni ndryshoi. Në vitin 1991, Wettone la “Asian” për t’u fokusuar në projekte të tjera.
“Ne e prekëm kulmin dhe u rrëzuam”, kishte thënë ai për trajektoren e “Asias” në një intervistë për “The Birmingham Post” në vitin 1998. “Ne është dashur që të prekim mesin në fillim e më pas të ngjitemi”.
John Kenneth Wettonu u lind në Willington, Derbyshire të Anglisë më 12 qershor të vitit 1949 dhe u rrit në Bournemouth. Ai nisi të interesohej për muzikën pasi dëgjonte vëllanë e tij të luante organo në kishë. Luajti me bendet lokale sa ishte në shkollë të mesme, pas diplomimit u shpërngul në Londër, ku luajti me bendet “Mogul Thrash” dhe “Family”, para se t’i bashkohej “King Crimson”.
Popullariteti i “Asias” qëndroi edhe pak pasi që bendi arriti majën në vitet ’80. Bendi origjinal u ribashkua në vitin 2006 dhe në vitin 2008 lansuan albumin “Phoenix”. Wetton do të duhej t’i bashkohej bendit në turneun në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fillim të muajit mars, por këtë muaj mjeku i kishte thënë që të mos merrte pjesë. Billy Sherwood i bendit “Yes” është përcaktuar që ta zëvendësojë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...