Coelho, shkrimtari që e sheh botën pa kufij

1 Shkurt 2017 - 11:00      

Paulo Coelho, i cilësuar si alkimisti i fjalës apo edhe si një fenomen letrar, sipas të gjitha gjasave vazhdon të mbetet një ndër shkrimtarët më të preferuar të këtij shekulli.

Statistikat botërore tregojnë se lexues nga më shumë se 150 vende, pa dallim gjuhe dhe kulture, e kanë pranuar tashmë si autorin e tyre personal, por edhe të domosdoshëm në jetën e tyre.

Librat e tij, të përkthyer në më shumë se 60 gjuhë të botës, kanë zënë vendet e para pa mëdyshje në listat e librave më të shitura, sikundër edhe në temat e diskutimit shoqëror dhe kulturor. Dhe e gjitha kjo sepse idetë dhe filozofitë e tij, tematika e librave të këtij shkrimtari, përmbledhin aspiratat e miliona lexuesve që kërkojnë rrugë dhe alternativa të tjera për të kuptuar botën.

“Shtriga e Portobellos”, u botua në 60 vjetorin e lindjes se tij nga shtepia botuese “Toena”, e cila ka ekskluzivitetin e botimit të veprave të shkrimtarit të madh, u pëlqye nga shqiptarët, por gjithsesi jo në nivelin e romanit të tij të famshëm “Njëmbëdhjetë minutat”. Shkrimtari brazilian kishte lejuar në fakt të lexohej falas në internet një pjesë e romanit “Shtriga e Portobellos” (Planeti). K jo ishte hera e parë që Coelho, përdorte internetin për veprat e tij, duke promovuar diskutime dhe këmbyer ide me lexuesit e tij.

Mesazhet e dërguara në faqen e tij të internetit gjithsesi treguan se “Shtriga e Portobellos” ishte një nga librat me polemizues të këtij autori. Në librin “Shtriga e Portobellos”, Coelho vlerësohet si një rëfimtar që refuzon të shkruajë “një libër tradicional”. Ai shkruan për një seri personazhesh që rrethojnë Athenën, protagonisten dhe që tregojnë për të . Lexuesi shqiptar, ka lexuar disa nga kryeveprat e tij si, “Alkimisti” , “Njëmbëdhjetë minutat” “Djalli dhe zonjusha Prym”, “Veronika vendos te vdesi” “Mali i pestë” , “Pelegrini i Kompostelës” , “Manuali i luftëtarit të dritës”, “Zahiri”.

Gati të gjitha librat e botuara nga “Toena” janë mirëpritur nga lexuesi shqiptar , ndërkohë që sidomos “Alkimisti”, “Njëmbëdhjetë minutat”, “Zahiri”, kanë shënuar një rekord shitjesh dhe në Shqipëri .

Paulo Coelho, i cili lindi në 24 gusht të vitit 1947, në një familje të mesme ( i ati ishte inxhinier dhe e ëma, Lygia, shtëpiake), kur ishte shtatë vjeç studio në kolegjin jezuit San Ignacio të Río de Janeiro, ku urreu natyrën e detyruar të praktikës fetare, shkruan atsh. Ai nuk e duronte dot faljen dhe as meshën, megjithatë në kolegj ai zbuloi dëshirën e tij të vërtetë: për të qënë shkrimtar.

Shumë shpejt fitoi çmimin e parë letrar në një konkurs poezie. Kur prindërit e tij kërkonin që djali i tyre të bëhej inxhinier, pikërisht kjo shkaktoi tek ai rebelim deri në thyerjen e normave familjare. Sjelljen e tij i jati e mori si ai të kishte simptoma të një sëmuri mendor. Kur ishte 17 vjeç e shtroi në një spital psikiatrik, ku dhe iu nënshtrua elektroshokut.

Pak më vonë, Paulo filloi të lidhej me një grup teatri dhe t’i kushtohej gazetarisë. Për shtresën e mesme të asaj epoke,teatri shihej me sy të keq, ndaj dhe prindërit e tij e rishtruan sërish në një spital. Paulo doli nga spitali akoma më i humbur dhe i mbyllur në botën e tij.

Një mjek i familjes zgjidhi këtë problem jo të vogël : Paulo nuk është i çmëndur; ai duhet të mësojë të përballojë vetë jetën e tij. Tridhjetë vjet më vonë, Paulo Coelho do të shkruante “Veronika vendos të vdesë”.

Sipas fjalëve të Paulos, librin “Veronika vendos të vdesë” e botoi në gusht 1998 në Brazil, ndërsa në shtator kishte marrë më shumë se 1.200 e-maile dhe letra që tregonin eksperienca të ngjashme . Në tetor, disa nga temat e trajtuara në libër –depresion, sindrom paniku, vetëvrasje – u diskutuan në një seminar kombëtar.

Në 1988, Paulo shkroi një libër shumë të ndryshëm nga i pari,“Alkimisti”. Bëhet fjalë për një libër simbolik, një metaforë të jetës ku reflektohen studimet e tij në alkimi gjatë njëmbëdhjetë vjetëve. Në botimin e parë arriti të shiste vetëm 900 kopje dhe shtëpia botuese vendosi të mos e vazhdonte më botimin.

Por kjo nuk do ta frikësonte; kërkon një shtëpi tjetër botuese “Rocco”. Në 1990 boton “Brida”, dhe ky libër çon edhe “Alkimistin” në listat e best sellers. Alkimisti shitet më shumë kopje se çdo libër tjetër në historinë e Brazilit dhe shkruhet në Librin Guiness të Rekordeve .

Kur po i afrohet 70 vite jetë, shkronjësi i “Alkimisti”, dhe i një sërë librash të suksesshëm, ai u cilësua si autori më i shitur në botë në vitin 2003 me librin “Njëmbëdhjetë minutat” dhe kjo renditje u arrit kur libri nuk ishte botuar ende në SHBA, Japoni dhe në 10 vende të tjera, ku u hodh në shitje një vit më vonë.

“Unë ia detyroja këtë At’henës. Të rishkruaja historinë e saj. Të shkruaja mitin e saj”, shpjegon ai.

Disa nga personazhet që tregojnë këtë histori mbi dashurinë dhe kërkimin e iluminizmit janë Heron Ryan, një gazetar që dashurohet me të në një udhëtim në Transilvani; Andre MCain, një aktore dhe Deidre O” Neill, një nga mësueset e saj që e përshkruan protagonisten si një virgjëreshë, një martire, një të shenjtë dhe një shtrigë, “të katërta në të njëjtën kohë”.

Në vitin 2003, “Alkimisti” zuri vendin e gjashtë në botë për nga shitja, “ Zahiri” (2005) zuri vendin e tretë, sipas gazetës amerikane Publishing Trends, mbas “Kodit të Da Vinçit” dhe “Ëngjëj dhe Demon”, të dy libra të Dan Brown.

“Alkimisti”, botuar në shqip nga shtëpia botuese “Toena”, është konsideruar si një nga fenomenet e letërsisë më të rëndësishme të shekullit të XX, duke zënë vendin e parë me supershitjet e tij në 18 vende dhe duke u shitur deri më sot me 30 milionë kopje .

Disa libra lexohen, të tjerët jetohen, me këtë fjali botoi në 2010 “Aleph”, një nga librat më të dashur për lexuesit e Paulo Coelho. Ndërsa në vitin 2012, libri i tij ” Dorëshkrimi i gjetur në Accra”, vendoset në Jerusalémin e vitit 1099. Libri ka patur sukses të pabesueshëm në të gjitha nivelet shoqërore . I pëlqyer nga personalitete të ndryshme si nga këngëtarja Madonna (e konsideron si të preferuarin e saj ), ai ka frymëzuar një varg projektesh, si një musical në Japoni dhe vepra të ndryshme teatrore në Francë, Belgjikë, SHBA, Turqi, Itali dhe Zvicër. Vepra e tij është aktualisht temë e dy simfonive në Itali dhe SHBA, ndërsa numuron çmime në Spanjë 2006, SHBA, 2006, Kroaci , 2006, Gjermani 2005, Hungari, 2005, Ukrainë 2004, Angli 2004, Serbi 2004, Francë 2003, Gjermani 2001, Itali 2001, Poloni 2000, Francë 2000, Spanjë 1999, etj.

Paulo Coelho hyri në Librin Guiness të Rekordeve si autori që firmosi më shumë libra në 9 tetor 2003, në Panairin e Librit në Frankfurt. Komuniteti norvegjez ia ka ofruar “Alkimistin” të gjithë funksionarëve të administratës me qëllim stimulimin e një mënyre ndryshe mendimi. Të paktën në 30 vende të planetit , “Alkimisti” , bën pjesë në kurrikulën letrare të shkollave. Shenjtëria e tij Papa Gjon Pali II të e priti autorin në Vatikan në 1998, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar i dha autorit çmimin më të rëndësishëm : el Cristal Award.

Paulo Coelho shkruan për javë një kolonë në gazetën “O Globo” dhe gjithashtu bashkëpunon më të tjera botime braziliane si dhe në të tjera vende. Në mars të vitit 2000, qeveria franceze i dha autorit distinktivën më të shquar : “Chevalier de L’Ordre National de la Legion d’Honneur”. Në vitin 2005,Hotel Bristol i vuri emrin e Paulo Coelhos një çokollatë të nxehtë me portokall si mirënjohje pasi ai kishte përmendur këtë hotel në librin e tij “Zahiri”. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...