31 Janar 2017 - 09:58
Krijues të pranishëm në këtë kremte letrare nga hapësira mbarëshqiptare ishin dëshmitarë të njërës nga ngjarjet më të mëdha të letrave shqipe viteve të fundit, madje në mbarë gjeografinë shqiptare: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë e Preshevës, Mali i Zi e Çamëri, transmeton Koha.net.
“Ora e madhe letrare”, ashtu siç ka filluar edhe ka përfunduar me deklamim poezish, në dedikim të kolosit të Karadakut Idriz Seferi, në jubileun e 70-të të të cilit është duke u mbajtur manifestimi “Flaka e Janarit 2017”, nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri.
Çmimi i parë për poezinë më të mirë të lexuar i ka takuar poetit Agron Tufa, i cili prezantoi para auditorit të pranishëm vargje nga krijimtaria e tij.
Edicioni i këtij viti, i 26-ti me radhë, i shtyllës mbase më të veçantë “Pena e Flakës 2017”, ashtu siç është paralajmëruar edhe dëshmuar me prurje cilësore nga pjesëmarrësit e shumtë në “Ora e madhe letrare”, sikundër që ka spikatur edhe pjesëmarrja e autorëve të shquar me krijimet e tyre në konkursin letrar “Pena e Flakës 2017” në përgjithësi, si në prozë, ashtu edhe në poezi.
Në mesin e 97 poezive dhe 44 tregimeve të shkurta konkurruese, juria ka përzgjedhur ato të cilat i ka vlerësuar më të arrira: “Eh Penelopë që thure e shthure veten”; “Ëndrra e saj” dhe “Lyra e shpirtit tim”, ishin krijimet në poezi, të përzgjedhura dhe prezantuara me shifra.
Po ashtu juria ka bërë edhe përzgjedhjen e tri tregimeve të shkurta, nga 47 gjithsej sa kishin arritur në përgjithësi në redaksi me shifra.
Sabit Rrustemi, njëri nga promotorët e shtyllës së manifestimit “Pena e Flakës 2017”, është deklaruar tejet i kënaqur me krijimet letrare e poetike në përgjithësi, derisa ka konstatuar atë që kishte paralajmëruar më parë se ky edicion do të jetë i veçantë si në sasi po ashtu edhe cilësi.
“Kjo ishte ndër orët më cilësore të manifestimit “Flaka e Janarit” për vet faktin se morën pjesë numër i madh krijuesish, mbi njëqind të tillë, në konkursin letrar, mes tyre 44 tregimtarë dhe 25 poetë tjerë nga të gjitha trevat shqiptare. Kjo dëshmon për vlerat dhe prurjet e mirëfillta në këtë edicion të shtyllës “Pena e Flakës”, ka thënë Rrustemi.
Ndërsa krijuesja Fatime Kuli nga Shqipëria, me origjinë nga Çamëria, pasi ka vënë në spikamë pjesëmarrjen e saj të parë në këtë ngjarje të përvitshme letrare, është shprehur të jetë “intriguar” nga emërtimi i manifestimit “Flaka a Janarit”. Pikërisht ky emërtim ka thënë të ketë qenë arsyeja që e ka nxitë të jetë pjesë e konkursit letrar.
“Vlerat e letërsisë së mirëfilltë numërohen me gishtat e dorës. Mua më pëlqen të ketë prurje qoftë edhe duke vargëzuar, sepse përmes shumicës mund të nxjerrim vlerat. Është shumë optimiste prurja e zërave të rinj poetik, sepse nga ta mund të dalin edhe vlerat të cilat shqiptarët e Kosovës i kanë pasur që nga Esad Mekuli, Ali Podrimja e shumë të tjerë, e që janë shkolla të poezisë shqipe në përgjithësi, itinerar udhërrëfyes nga duhet udhëtuar brezat e rinj”, ka përfunduar ajo.
Ndërsa krijuesi Nexhat Rexha, duke i bërë një përshkrim shtylës letrare të manifestimit, është shprehur në superlativ për prurjet letrare të këtij viti. Ai ka vënë në spikamë se ky edicioni i shtyllës “Pena e Flakës” është dëshmuar nga më cilësore deri më tani.
Spas tij “Pena e Flakës këtë vit ka sjellë një risi që dallon nga vitet e kaluara, pasi krijuesit pjesëmarrës janë dëshmuar paraprakisht me krijimet e tyre, të publikuara përmes rrjeteve sociale.
Çmimi i parë për autorin Agron Tufa në kuadër të orës së madhe letrare ishte më se i merituar”, ka thënë Rexha ndërsa ka vlerësuar edhe manifestimin “Flaka a Janarit 2017” si tërësi në përgjithësi.
Të gjitha punimet e shpërblyera sikurse edhe punimet e përzgjedhura nga juria është bërë e ditur se do të botohen në numrin e 20-të të revistës letrare “Agmia”.
Në poezi:
Shpërblimi i parë i jepet poezisë: ‘Eh Penelopë që thure e shthure veten’, shifra: Gladiatori.
Shpërblimi i dytë poezisë: ‘Ëndrra e saj’, shifra: E kujt ishte andrra.
Shpërblimi i tretë poezisë: ‘Lyra e shpirtit tim”, shifra: Dëgjoje zërin tim.
Në prozë:
Shpërblimi i parë i jepet tregimit: “Njeriu me ngjyrën e tokës”, shifra: Aviatori
Shpërblimi i dytë: “Ti dhe hëna’, shifra: Hëna.
Shpërblimi i tretë: ‘Te qershia e kuqe”, shifra: Kokrra e qershisë dhe “Aromë bujarie”, shifra: Diaus.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...