Regjisori iranian deklarohet se nuk do të jetë pjesë e ceremonisë “Oscar”

30 Janar 2017 - 14:00      

New York, 30 janar - Regjisori iranian, Asghar Farhadi, filmi i të cilit “The Salesman”, është i nominuar nga “Academy Awards” në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj, ka thënë se nuk do të jetë pjesë e ceremonisë “Oscar”, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e NYT. As nëse presidenti Donald Trump bën ndonjë përjashtim për të, pas vendimit për ndalimin e vizave për qytetarët e Iranit dhe shteteve të tjera myslimane.

Farhadi ka thënë se kishte planifikuar që të jetë pjesë e ceremonisë e cila do të zërë vend më datën 26 të muajit shkurt në Los Angeles, dhe gjatë qëndrimit të tij të tërhiqte vëmendjen për vendimin që ai e quan “të padrejtë”. Por vendimi ekzekutiv i nënshkruar nga Trump, të premten, ka bllokuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 90 ditë për qytetarët e Iranit, Irakut, Libisë, Somalisë, Sudanit, Sirisë dhe Jemenit. Po ashtu, sipas këtij vendimi, ndalohet hyrja e tërë refugjatëve për 120 ditë, ndërsa afati për refugjatët sirianë mbetet i pacaktuar.

Farhadi, në një deklaratë zyrtare, ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e ceremonisë, pas lajmit për vendimin e Trumpit, që gjatë ditës së diel qarkulloi nëpër mediet ndërkombëtare.

“Me keqardhje, përmes kësaj deklarate, ju njoftoj se kam vendosur që të mos jem pjesë e ceremonisë së ‘Academy Awards’, pranë pjesëtarëve të tjerë të komunitetit kinematografik”, ka shkruar Farhadi, i cili në vitin 2012 mori çmimin “Oscar” për filmin “A Separation”, në kategorinë e filmit më të mirë në gjuhë të huaj.

“Asnjëherë nuk kam pasur qëllim që të mos jem pjesë e ceremonisë e as të bojkotoj këtë ngjarje, për të cilën e di se për shumë prej tyre që janë pjesë e industrisë së filmit në Amerikë e kundërshtojnë fanatizmin dhe ekstremizmin që sot po zë vend më shumë se kurrë”, ka shkruar më tej Farhadi, i cili pas shpalljes së nominimeve kishte thënë se do të jetë pjesë e ceremonisë bashkë me kinematografët e tjerë, për t’u bërë pjesë e një ngjarjeje të madhe kulturore.

Sidoqoftë, kjo tashmë duket e pamundur, pikërisht për shkak të vendimit të presidentit të ShBA-s, gjë që lë hapësirë për shumë kritika.

“Me gjithë nacionalitetin, argumentet politike dhe luftërat, lidhjet dhe kuptimet, bota pak a shumë është në gjendje të njëjtë. Në mënyrë që të kuptojnë botën, nuk kanë zgjidhje tjetër veç se ta ndajnë në mentalitetin e ‘atyre dhe neve’, të cilin e shfrytëzojnë për të krijuar imazhe të ‘atyre’ dhe mbjellin frikën te njerëzit në shtete e tyre”, ka shkruar Fahradi.

Sipas tij, një gjë e tillë nuk ndodh vetëm në ShBA, por edhe në shtetin e tij. Për vite me radhë, në të dyja anët e oqeanit, grupe të ndryshme të njerëzve janë munduar që t’u prezantojnë njerëzve imazhe të frikshme dhe të pavërteta, të shteteve dhe kulturave të ndryshme, në mënyrë që dallimet mes tyre t’i kthejnë në mosmarrëveshje.

“Sidoqoftë, besoj se ngjashmëritë në mes të qenieve njerëzore në botë dhe toka të tjera, e në mes të kulturave e besimeve të tjera, peshojnë shumë për shkak të dallimeve”, ka shkruar Fahradi. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...