27 Janar 2017 - 13:21
Ajo që josh dhe magnetizon gjatë leximit është të kërkuarit e tjetrës që nuk është imediatja historike apo joshja indigjene, shkruan ATSH. Kadare zgjidh forcën e tij rrëfimtare duke zgjeruar profilet e realitetit, duke i deformuar. Ai merr polaritete historike –invazionin dhe pushtimin otoman, invazionin dhe pushtimin italian, diktatura si Piramida apo Vjedhja e gjumit në pallatin mbretëror duke elaboruar në një rrëfim legjendar, faqe që përshkruhen nga drithërima epike, jehona të tjera. Koha e faqes së tij të shkruar është një kohë diakronike, johistorike që përzien mitin dhe alegorinë.
Kadare kaloi fëmijërinë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës dhe jeta mitike që ofron ky qytet duket se la gjurmë të thella në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Asim Zeneli”. Më pas kreu studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Universitetin e Tiranës, pastaj në Institutin “Gorki” të Letërsisë Botërore në Moskë. Kadareja ka punuar në gazetën “Drita”, e më pas drejtoi revistën “Les letres albanaises”.
Është fakt që Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve ’60. Edhe pse në fund të vitit 1990, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, ai mbajti lidhje me Shqipërinë. Ai është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, ambasador i saj në botë, është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, shkrimtari që bëri histori prej prehistorisë; pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute.
Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.
Vepra e Ismail Kadaresë është përkthyer në 45 gjuhë të huaja, 2/3 e veprës së tij është në gjuhë të huaj dhe 1/3 është në gjuhën shqipe, i tha ATSH-së botuesi i shkrimtarit, Bujar Hudhri, duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar.
Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e fenomene e fakte historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike.
Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin “Kronikë në gur” (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale , ndërkohë që probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe Gjakftohtësia (1980).
E veçanta e Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Dimri i madh” (1977).
Por edhe poezia e Ismail Kadaresë është një prej zhvillimeve më novatore në vjershërimin shqip gjatë një gjysmë shekulli. Ajo shprehu vendosmërinë e shkrimtarëve të brezit të viteve ’60 për të realizuar qëllime estetike të ndryshme prej paraardhësve.
“Frymëzime djaloshare” (1954), “Ëndërrimet” (1957), “Endërr industriale” (1960), “Shekulli im” (1961), “Poemë e blinduar” (1962), “Përse mendohen këto male” (1964), “Shqiponjat fluturojnë lart” (1966), “Motive me diell” (1968), “Koha” (1976), “Shqipëria dhe tri Romat”, përbëjnë titujt kryesorë të veprës poetike të Kadaresë.
Ismail Kadare, në periudhën e parë të krijimtarisë së tij, u tërhoq pas poemës epiko-lirike. Në prirjen e përgjithshme ai nuk u shkëput prej frymës monumentalizuese të poezisë së mëparshme, por e kushtëzoi këtë me tipin e njeriut shqiptar, të historisë së tij kombëtare, të fatit të tij nëpër shekuj. Thuajse në të gjitha poemat e shkruara në vitet ’60 -’70 ka një gërshetim të mjeteve të reja të të shprehurit me mënyrën tradicionale të të vështruarit të jetës dhe të historisë.
Poezia e Kadaresë, është përgjithësisht e qartë, pa ekuivoke, shpesh marciale, thuajse përherë optimiste. Ajo, në kritikën zyrtare, është pritur si pasurim problematik i poezisë shqipe, veçanërisht me temën e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë të historisë. Poezia e tij është poezi e sfidave të mëdha shqiptare. Ajo është e përshkuar nga qëndrimi hyjnizues ndaj historisë kombëtare, ndaj lavdisë së tyre, ndaj tokës së të parëve, ndaj gjuhës shqipe.
Qëndresa hyn në poezinë e Kadaresë qysh prej kohërave antike, deri në periudhat më të afërta të historisë. Veçmas ajo lidhet me “motin e madh”, të epokës së Gjergj Kastriotit; por Kadare hyjnizoi një periudhë më të hershme se kjo, që ishte mitizuar më herët prej Rilindjes Kombëtare: periudhën e humanizmit evropian (siç mendon shkenca e historisë, kjo periudhë e gjeti Shqipërinë në të njëjtën shkallë zhvillimi me anën tjetër të Adriatikut), e cila pati shprehjen e saj dhe në njeriun dhe qytetërimin shqiptar. Poema epiko-lirike shqipe arriti një nivel të lartë afirmimi me vepra të tilla të I. Kadaresë, si “Përse mendohen këto male” dhe “Shqiponjat fluturojnë lart”, pastaj me “Shekulli i 20-të”, “Poemë e blinduar”, “Shqipëria dhe tri Romat” e vepra të tjera.
Poezia e Kadaresë është e prirur drejt sintetizmit dhe abstraksionit. Në këtë cilësi poezia e Kadaresë të sjell ndërmend vjershërimin e Migjenit. Sintetizmi shfaqet në mungesën e çfarëdo subjekti apo elementi të subjektit. Poemat e Kadaresë, përgjithësisht poezia e tij, janë art mendimi, pa elemente të rrëfimit (narracionit). Si të tilla, si poema mendimi, ato ofrojnë shumësi leximesh, në kohë dhe në mjedise të ndryshme.
Gjithashtu poezia intime e Kadaresë përshkruhet nga malli për qytetin e lindjes, për njerëzit që lanë gjurmë në fëmijërinë e tij, për atdheun kur ndodhet larg tij, për kohën studentore, vajzat dhe rrugët e Moskës kur është në atdhe, e mbi të gjitha, për vajzën që le gjurmë në shpirtin e tij, por që përgjithësisht ndodhet larg.
Raporti midis jetës dhe vdekjes, midis të gjallëve dhe varreve, midis brezit që shkoi dhe atij që vjen, një nga raportet më thelbësore të qenies njerëzore, përbën një rregullator të mbifuqishëm të gjithë yllësisë së veprave të Kadaresë. Synimi parësor i çdo letërsie serioze që të qëndrojë mbi kohën dhe hapësirën zuri vend kryesor që tek romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Në vitin 1996 , Kadare u pranua anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka fituar Çmimin “Jeruzalemi” për vitin 2015. Ai u konsiderua me këtë rast shkrimtari që i dha shprehje lirisë njerëzore në librat e tij.
Kadare është një tregimtar ironik dhe tepër interesant që rrëfen shkëlqyeshëm me nënkuptime të tërthorta rreth fajit kolektiv, veçanërisht në mos ndëshkimin e këtij faji… Edhe pse në formën e të shkruarit personazhet janë kryesisht lokalë, kuptimi dhe rëndësia janë padyshim universale. ” – thuhet në motivacion e këtij çmimi dhënë shkrimtarit te madh.
Më 13 te vitit 2016 , Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi shkrimtarit te shquar “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufishme për veprat e vyera letrare, për Presidenti Nishani çmon me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” shkrimtarin e shquar Ismail Kadarepasurimin e pashtershëm e të çmuar të letrave shqipe, si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në drejtim të lartësimit të emrit e vlerave të kombit shqiptar anembanë botës”.Kreu i shtetit ia dorezoi Dekoraten shkrimtarit të madh, gjatë punimeve të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Shekulli i Kadaresë”, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, me rastin e 80-vjetorit të lindjes se tij.
Në fjalën e tij, Kreu i shtetit duke vlerësuar veprën e Kadaresë, cilësoi se, “Kadare është tashmë i përket fondit akademik, shkencor, kulturor botëror. Ne shqiptarëve na takon që ta referojmë veprën e Kadaresë dhe vetë mjeshtrin në radhë të parë me vetë identitetin tonë, me kontributin për kombin shqiptar”, tha Nishani. Ai vuri ne dukje ‘kontributet e paçmuara’ te Kadaresë, dhe meritat e tij krijuese dhe qytetare, si mendimtar dhe si veprimtar, si rikrijues i një Shqipërie të denjë letrare për botën.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...