27 Janar 2017 - 10:05
Duke qenë krenarë për një gjë të tillë e njëkohësisht duke u solidarizuar me rreth 7 milionë viktima gjithandej botës, të enjten edhe shteti më i ri i Evropës ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, ku prej vitit 2005, 27 janari, ka marrë këtë epitet nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Të pranishmit kanë përçuar mesazhe paqeje, përderisa 75 vjeçja Ester Stela Levi është parë si dëshmi se në Kosovë janë shpëtuar hebrenjtë.
Nëpërmjet dokumentarit të dyshes kroate, Jakov dhe Dominik Sedlar, në Teatrin Kombëtar të Kosovës është shpalosur rrëfimi i saj që si shtatëmuajshe ishte tërhequr nga kampi i përqendrimit në Mitrovicë, duke shpëtuar pavarësisht që i takonte komunitetit hebraik. Një kohë e kishte kaluar te një familje rome në këtë qytet, përderisa më vonë ishte zhvendosur në Beograd e Izrael.
I realizuar në Mitrovicë, Prizren, Beograd e Izrael, dokumentari “Romja e drejtë” shpalos emocionet e Ester Stela Levit, derisa ajo pas shtatë dekadash viziton qytetin e lindjes, shtëpinë e fëmijëve bonjakë në Beograd e Prizren, ku gjen varret e të afërme të saj. Në pjesën më të madhe të dokumentarit 33- minutësh, i shfaqur premierë vitin e kaluar, Ester Stela Levi paraqitet duke qarë, derisa rrëfen për tragjedinë personale e familjare. Është zëri i historisë së përbashkët të të mbijetuarve të Holokaustit. Është filmuar duke thënë se romen që ia ka shpëtuar jetën nuk mund ta ndajë nga nëna e saj biologjike.
E ka kërkuar edhe varrin e saj, por e ka hequr mallin me një lapidar ku është shënuar emri i saj dhe me një vizatim ku ajo është paraqitur sipas mënyrës si e ka mbajtur mend Ester Stela Levi. Ajo ka falënderuar të pranishmit që kanë dëgjuar rrëfimin e saj jetësor. “Rrëfimi i së mbijetuarës” ka qenë titulli i organizimit ku ajo ka qenë kryepersonazh.
“I falënderoj ata që më kanë mundësuar të vij këtu, që kanë menduar për mua. Jam për herë të dytë këtu dhe më bëhet shumë qejfi që jam në mesin tuaj. Jam e lindur këtu, jam juaja”, ka thënë Ester Stela Levi në emocione. Herën e parë ka qenë në Kosovë në vitin 2015, kur po realizohej dokumentari.
Paraditen e së enjtes ajo ka vënë lule te monumenti që u kushtohet viktimave të Holokaustit në oborrin e Kuvendit të Kosovës.
“Jam e lindur në Mitrovicë dhe jam këtu që t’i kujtoj gjyshin dhe gjyshen time. Kjo për mua është një ditë e shenjtë, pasi të gjithë anëtarët e familjes sime kanë vdekur gjatë Holokaustit. Shpresoj që të ketë komunikim dhe marrëdhënie të mira midis Kosovës dhe Izraelit”, ka thënë ajo përballë monumentit.
Kryetari i bashkësisë hebraike “Bet Israel Kosova”, Ruzhdi Shkodra, që tash e dhjetë vite organizon në Kosovë Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit ka thënë se kjo ngjarje, qytetarët e Republikës së Kosovës i gjen ballëhapur dhe krenarë, si popull që kanë ndihmuar dhe shpëtuar hebrenjtë.
Më 27 janar të vitit 1945, trupat sovjetike kishin arritur që të futeshin në kampin më famëkeq nazist të Auschwitzit, ku ishin vrarë 1.1 milion hebrenj (më shumë, sot në “Kohën Ditore”).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...