27 Janar 2017 - 09:00
Fjalët çelës të shkrimeve diskursive të autorit, të vështrimeve kritike dhe të studimeve letrare, të botimeve të realizuara në shenjë vlerësimi dhe nderimi për këtë figurë poliedrike të artit letrar, të albanologjisë, të arsimit, të kulturës dhe të gazetarisë shqiptare, të cilat spikaten krahas emrit dhe mbiemrit të autorit, Ramiz Kelmendi, përveç të tjerash, janë: shkrimtar, letërsi shqipe, prozator, tregimtar, novelist, romansier, studiues i letërsisë, kulturë letrare, kritik letrar, gazetar, humorist, satirik, dramaturg, teatër, skenarist, biograf, udhëpërshkrues, hartues e përpilues, panoramist, fejtonist, polemist, publicist, përkthyes, redaktor, etj.
Për këtë përmbledhje të temës së zgjedhur në qendër të interesimit studimor janë nocionet: letërsi, shkrimtar, gazetari, personalitet i kulturës shqiptare dhe humanist. Megjithatë, vlerësohet se Fjalësi i termave dhe i shprehjeve letrare që lidhen me opusin letrar, me tërë veprimtarinë e tij të gjithanshmet, me shkrimet për jetën dhe veprimtarinë e këtij shkrimtari do të përfshinte shumësi nocionesh dhe përmbajtjesh enciklopedike dhe bibliografike shumë të pasur.
Teksti shpjegues i termave, i toponimeve, i ngjarjeve, i motiveve dhe i temave të trajtuara, i shkrimeve diskursive dhe i aktiviteteve letrare dhe jo letrare, paraqet aspekte të historisë së popullit shqiptar, gjeografinë letrare të mbarë Shqipërisë historike dhe etnike, të Kosovës të shtrirë që nga Rugova , Peja (vendlindja), Prishtina e Tirana dhe deri atje afër e larg në shumë vise shqiptare dhe jashtë saj, kah ka udhëtuar shkrimtari, ky intelektual dhe qytetar i botës, për t`u kthyer përsëri në atdhe , në vatrën shqiptare. Ramiz Kelmendi është shkrimtar i shquar dhe i dashur. Nuk do të shtoj asnjë epitet tjetër. Sepse, shkrimtari është njeriu dhe krijuesi i vlerave artistike.
Ai është i individualitet letrar dhe është i respektuar nga lexuesit, nga studiuesit dhe nga shumë breza në kohën kur jeton, krijon dhe publikon veprat artistike. Është i shquar në jetën letrare, kulturore dhe shoqërore të kohës së tij. Si autoritet letrar në procesin krijues, me gjuhën shqipe, me fjalën e figurshme si mjet të shprehjes artistike, me mjeshtërinë dhe invencionin krijues, me ndjenjat dhe mendimet e tij, në saje të talentit të jashtëzakonshëm, të frymëzimit artistik, të imagjinatës krijues, të botëkuptimit dhe të qëndrimit kritik ndaj botës, transponon realitetin jetësor në atë artistik. Kjo krijimtari e përkushtuar, me vlera universal, e bën atë shkrimtar me identitet të theksuar kombëtar, por edhe krijues humanist të mbarë njerëzimit.
Ramiz Kelmendi është shkrimtar i cili shquhet ndër krijuesit letrarë të plejadës eminente të letërsisë shqipe bashkëkohore. Me opusin letrar dhe me veprimtarinë arsimore kulturore dhe shkencore si individualitet i letrave shqipe, dha kontribut të madh për zhvillimin e letërsisë, por edhe për emancipimin e gjithanshëm të shumë brezave të lexuesve dhe të krijuesve të artit letrar. Së bashku me shumë shkrimtarë bashkëkohës, realizon misionin e edukimit artistik dhe kulturor, vizionin e ndritur të humanizmit dhe të lirisë kombëtare.
Veprat e tij letrare, që përfshihen në fondin e krijimeve artistike të vlerësuara nga lexuesi dhe nga studiuesit e letërsisë, janë: Barka e peshkatarit, tregimi i parë (1954), përmbledhjet e tregimeve: Vija e vrragë (1958), Dy rrëfime (1962), Letra nga Ulqini satira (19660, Ahmet Koshutani (1972), Abrakadabra (1974), Heshtja e armëve (1973), Shtatë persona ndjekin autorin (1974/1975), udhë përshkrimet: Rrugët (1967), Shtegtimet e mia (1981), Tregimi ynë humoristik dhe satirik 1944-1974 (1975), Kompleti i veprave (tetë vëllime) shkrime kritike, radiodrama, drama televizive, skenar filmi, tekste shkollore, përpilime panoramash letrare dhe antologjike, përgatitje e veprave për botim në redaksinë e Rilindjes, përkthime, publicistikë, fejtone, etj.
Vështrimet letrare kritike për krijimtarinë e Ramiz Kelmendit janë të shumta nga autorët bashkëkohës të tij dhe nga ata të studiuesve të rinj, siç janë: Hasan Mekuli, Vehap Shita, Mahmud Hysa, Ali Demë Jasiqi, Azem Shkreli, Samedin Mumxhiu, Rexhep Qosja, Masar Stavileci, Teki Dervishi, Mensur Raifi, Ali Aliu, Beqir Musliu, Hasan Hasani, Demush Shala, Jusuf Gërvalla, Agim Mala, Musa Ramadani, Xhemail Mustafa, Zenun Çelaj, Emin Kabashi, Sejdi Berisha, Muhamet Çitaku, Akil Koci, Reshat Sahitaj, Prend Buzhala, Xhemal Peci etj.
Vështrimi për jetën dhe veprimtarinë e Ramiz Kelmendit në tetë dhjetëvjetorin e lindjes bazohet në njohuritë e derisotme për letërsinë dhe për shkrimtarin në aspektin teorik dhe historik letrar, në leximin, studimin dhe vlerësimin e veprës së tij, në shkrimet shumë të pasura dhe me vlerë, në njohjen time personale dhe në përjetimet e mia, ashtu si e kam njohur dhe si e kam vlerësuar veprën e tij letrare dhe tërë veprimtarinë e rëndësishme në shumë fusha të angazhimit artistik, iluminist- arsimor, kulturor, publicistik, teatror, në institucionet universitare, në redaksinë e botimeve të Rilindjes dhe në tribuna të rëndësishme kushtuar realizimit të ideve madhore të çlirimit, të pavarësisë, të formimit të identitetit dhe të bashkimit kombëtar.
Këtë personalitet të shkrimtarit Ramiz Kelmendi e formoi hapësira, ku u lind, jetoi, është shkolluar dhe ku zhvilloi veprimtarinë e pandërprerë dhe koha, kjo e jona, vija e vrragë, me të gjitha ballafaqime e luftës për ekzistencë njerëzore dhe kombëtare, por gjithherë, pra edhe sot, me shpresën e madhe të realizimit të synime në të sotmen dhe në të ardhmen. Si duket ky shkrimtar ka pasur në jetë e tij si moto mendimin e Volterit… Personalitet e tilla kombëtare të letërsisë, siç janë edhe shkrimtarët e lindur në Rugovë dhe në Pejë, Ramiz Kelmendi dhe Azem Shkreli, të cilët frymëzimet e para letrare i morën nga vendlindja, ky ambient me bukuri të rrallë natyrore, ma pasuri të traditës kulturore, me lirikën, me gjerdanin e epikës popullore të kreshnikëve, me qëndresën, si pisha në shkamb, është shprehur Esad Mekuli, dhe janë afirmuar në përmasa të gjera, jo vetëm në këtë Cep të Ilirisë, të Dardanisë, siç do të thoshte Kuteli, por edhe në mbarë Shqipërinë etnike, në diasporën shqiptare dhe më gjerë.
Shkrimtari Kelmendi përfshihet në informacionin enciklopedik për letërsinë shqipe në Fjalorin e letërsive botërore, Larousse , Paris, 2002 por edhe në shumë botime kritike dhe historike, në tekste enciklopedike letrare dhe jo letrare. Ai si fitues i mirënjohjeve të veçanta, i shpërblimeve letrare, i dekoratave për merita të jashtëzakonshme në krijimtarisë artistike dhe kulturore, si laureat i Çmimit Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore, ‘Azem Shkreli’, për vitin 2012, gëzon famën e shkrimtarit i cili tashmë ka zënë vendin e duhur në historinë letërsisë shqipe.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...