Planet e Qeverisë në kulturë me projekte të dështuara ndër vite

26 Janar 2017 - 08:43      

Prishtinë, 26 janar - Ministria e Kulturës nuk e ka pasur shumë vështirë që ta përgatisë planin e punës për këtë vit. Disa prej projekteve të parapara për vitin e kaluar i ka bartur me “copy-paste” në Planin e punës për vitin 2017, shkruan sot Koha Ditore.

Kësisoj ka ngjarë me projektet kapitale në fushën e kulturës, disa planifikime sa i përket legjislacionit, financimin e institucioneve të kulturës e deri te Lista e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme.

Sipas Planit vjetor të punës së Qeverisë, Ministria e Kulturës planifikon që edhe këtë vit të mbështesë institucionet publike të kulturës, gjë që e bën çdo vit. Mbështetja e institucioneve kulturore nënkupton që atyre t’u përcaktohet buxheti në fillim të vitit. Sa u përket projekteve kapitale në kulturë, janë ato që përsëriten tash e disa vjet: studimi i fizibilitetit dhe projekti ideor për Teatrin e Operës dhe Baletit, rinovimi i bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani” e Muzeu i Artit Bashkëkohor.

Përderisa për të parin është bërë një hap i vogël vitin e kaluar - kur në dhjetor është hapur konkursi për detyrën projektuese - dy projektet e tjera kanë mbetur në letër. Ministria e Kulturës vitin e kaluar kishte paraparë që të përfundojë punën me Strategjinë për kulturë. Madje në Planin e punës e kishte që kjo Strategji edhe të hynte në fuqi në vitin që shkoi.

Njëjtë ishte planifikuar edhe për koncept-dokumentin për promovimin e kulturës dhe atë për veprimtarinë botuese dhe librin. Krejt këto janë paraparë për sivjet pasi MKRS-ja nuk ka mundur t’i kryente punët që i kishte radhitur si prioritet vitin e kaluar (Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...