Në shtëpinë e Mahmut Agë Gjinollit qenë investuar 80 mijë euro, tash në mëshirë të fatit [video]

20 Janar 2017 - 22:00      

Është njëri ndër monumentet e Mbrojtura të Trashëgimisë Kulturore, por ka mbetur në mëshirë të fatit dhe pa përkujdesje.

Ky objekt njihet si Ambulantë e Vjetër në Vushtrri, pasi për shumë vite ishte lëshuar në shërbim të qytetarëve për mjekim nga pronari i shtëpisë, Mahmut Agë Gjinolli, raporton KTV.

Madje ky monument planifikohej të kthehej në muze.

Por një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë edhe për një kohë, pasi hapësirat brenda saj ka afër dy vjet që pavarësisht investimeve të bëra në vlerë prej 80 mijë eurosh, janë shndërruar në një katrahurë.

Kulmi i ndërruar nuk e ndal dot shiun të futet brenda objektit, ndërsa fasadimi i jashtëm është bërë me materiale joadekuate. Dritaret nuk ngjajnë me ato në të kaluarën, duke humbur kështu edhe një pjesë të identitetit të objektit.

Madje, sipas Selacit, edhe ato punë të cilat janë kryer në renovimin e saj ishin të kualitetit tejet të dobët.

Ai thotë se investimet e tjera, të cilat ishin planifikuar të ndodhin brenda vitit 2016 në vlerë prej 164 mijë eurosh, nuk janë realizuar ende.

Por ky objekt si duket do të vazhdojë të shkatërrohet, pasi që zyrtarë të Komunës dhe Ministrisë së Kulturës ia hedhin fajin njëra-tjetrës se nën përgjegjësinë e kujt është ky objekt.

Ndërsa zyrtarë të Qendrës Rajonale për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore thonë se Kuvendi Komunal duhet ta ruajë atë.

“Çdo objekt me vlera historike, artistike, sociale dhe kulturore, pavarësisht se a është pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore me status të mbrojtjes, përgjegjësi kanë të gjithë qytetarët e Kosovës ta ruajnë dhe promovojnë, e sidomos pronarët e monumenteve, në këtë rast Komuna si vetë pronare e asetit”, ka thënë Rreze Loxha – Vitaku nga QRTK-ja në Mitrovicë.

Ministria thotë se nuk i ka ndaluar asnjëherë ndërhyrjet apo punët e restaurimit dhe konservimit, të cilat janë në përputhshmëri me ligjin.


Në shtëpinë e Mahmut Agë Gjinollit qenë... by kohanet

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...