19 Janar 2017 - 12:04
Qazim Thaçi në këtë monografi përshkruhet si raportues i sfidave të paraluftës, kronist i luftës dhe poet që i thur vargje dashurisë. Në ambientet e Universitetit të Prizrenit, të martën mbrëma, janë mbledhur përfaqësues të institucioneve të ndryshme nga Prizreni e niveli qendror, letrarë dhe mysafirë të tjerë, ku njohësit e punës së Thaçit kanë bërë të ditur se në këtë vepër në mënyrë kronologjike pasqyrohen artikujt e tij, të botuar para, gjatë dhe pas luftës, sikurse edhe krijimtaria e tij letrare.
Redaktori Bedri Halimi ka vlerësuar se përmbledhja e veprimtarisë publicistike dhe letrare të Qazim Thaçit është një detyrë e vështirë për faktin se ai ka punuar shumë, sidomos në dekadën që ka qenë e vështirë për popullin shqiptar të Kosovës.
“Çka do që të paraqesësh nga veprimtaria e tij del mirë, sepse Qazimi ka lënë gjurmë të pashlyera kudo ku ka punuar. Por kjo gjë është edhe e vështirë. E vështirë për faktin se ka qenë e pamundur që të përmblidhet e tërë veprimtaria e Qazimit në një libër, madje qoftë ky edhe me 350 faqe”, ka thënë Halimi.
Ndërsa recensenti Nexhat Çoçaj ka bërë të ditur se autori i librit në kuadër të pasqyrimit të publicistikës dhe artit poetik të Thaçit, veprimtarinë e gazetarit “e cilëson si zë të lirisë”, teksa të njëjtën e shtjellon në tetë kapituj.
Autori i monografisë, Gëzim Ajgeraj, për shkak se jeton në mërgim, nuk ka mundur që të jetë i pranishëm në këtë përurim, megjithëse përmes një telegrami është shprehur mirënjohës për të gjithë ata që e kanë ndihmuar në realizimin e këtij botimi.
Në ceremoninë e përurimit të librit janë paraqitur edhe dy deputetët e Kuvendit të Kosovës, Nait Hasani dhe Zafir Berisha. Hasani me këtë rast ka çmuar përkushtimin e Thaçit për të qenë mbrojtës i lirisë së shprehjes në kohërat e rënda për popullin shqiptar të Kosovës, duke u angazhuar në informimin e drejtë për ngjarjet e kohës. Ndërkaq Berisha ka përkujtuar një episod kur është befasuar teksa ka parë Thaçin në vijat e frontit të luftës, duke raportuar për luftën e pjesëtarëve të UÇK-së nga terreni dhe jo nga zyrat në qytetin e Prizrenit.
Ndërkohë bashkëveprimtari i Qazim Thaçit, Skender Morina, teksa ka folur për punën e tij ka veçuar edhe sakrificën personale që ka bërë protagonisti i librit duke u vënë në shërbim të çështjes kombëtare, madje edhe me shkrirjen e të mirave materiale të familjes së tij. Ngjashëm është shprehur edhe Osman Qerreti, i cili ka shprehur mirënjohje për punën e palodhshme të Thaçit në interes të popullatës, sidomos gjatë viteve të rënda në Kosovë.
Në anën tjetër, vetë protagonisti i librit, Qazim Thaçi është shprehur i nderuar me respektimin e veprimtarisë së tij si gazetar e poet, me ç’rast ka falënderuar autorin për përkushtimin e tij për këtë botim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...