Foto: Koha

Restaurimi i Hamamit të Madh në Prishtinë mbetet pezull në pritje të ndihmës belge

17 Janar 2017 - 10:45      

Finalizimi i restaurimit dhe vënia në funksion e Hamamit të Madh të Prishtinës, ka mbetur pezull. Komuna e Prishtinës qysh prej vitit të kaluar është në pritje të ndihmës financiare dhe ardhjes së ekspertëve belgë.

Nuk janë mbajtur as debatet publike me qytetarë për të marrë propozimet për ridestinimin e monumentit pesëshekullor, që ishin përmendur qysh në shtator të 2016-ës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Regjioni i Valonisë në Belgjikë qe zotuar ta përkrahë Komunën e Prishtinës në kuadër të binjakëzimit mes kësaj komune dhe Komunës së Namurit në këtë regjion, i njohur për qytete mesjetare e arkitekturë të Renesancës. Janë përmendur 350 mijë euro mjete financiare dhe sjellja e ekspertëve nga Belgjika. E Komuna e Prishtinës sivjet ka ndarë 200 mijë euro për restaurimin e objekteve të trashëgimisë.

Zyra për Media e Komunës së Prishtinës derisa ka konfirmuar se punimet nuk kanë nisur ende, duke përsëritur përgjigjet e njëjta që ia kishte dhënë gazetës në shtator të vitit të kaluar. “Historia” e restaurimit të Hamamit ka një dekadë që ka nisur. Janë shpenzuar mbi 700 mijë euro e rezultati është humbja e autenticitetit të këtij monumenti.

Historia e punimeve në Hamamin e Prishtinës është e gjatë. Gjatë viteve 2007-2009 ishte punuar hartimi i planit të konservimit dhe restaurimit - fazë kjo e financuar nga CHwB/Sida, duke angazhuar një ekip ekspertësh nga Turqia. Projekti i hartuar me ndihmën e ekspertëve turq konsiderohej se jo vetëm që nuk përkonte me vlerat autentike të monumentit, por edhe ishte një përkthim i keq prej turqishtes.

Në qershor të vitit 2009, CHwB-ja ishte tërhequr prej bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës. Kompania “Arda Rei” kishte nisur punët restauruese. Madje përfaqësuesit e saj gjatë përgatitjes së monumentit për restaurimin në muret e brendshme kishin zbuluar një pikturë murale me përzierje të dy ngjyrave themelore - kaltër e verdhë.

“Pas përzgjedhjes së kompanisë fituese për zbatimin e këtij projekti, është parë që kjo kompani nuk ka asnjë përvojë në punë konservuese/restauruese”, thuhej në një raport të datës 12 dhjetor të 2013-s të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Komisioni i monitorimit përbëhej prej institucioneve qendrore dhe komunale të kulturës, si dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...