Poezitë si thirrje për paqe në Siri

14 Janar 2017 - 23:30      

Prej një vendi mikpritës e ku, sipas atyre që kanë jetuar atje, toleranca portretizohet edhe me faktin se në një oborr ishin kisha e xhamia, Siria tashmë është vatër lufte.

Prej asaj që fillimisht ishte konsideruar si një revolucion opozitar, tashmë është vështirë të përkufizohet se kush kundër kujt është duke luftuar, shkruan “Koha Ditore”. Atyre që kanë jetuar atje, u dhimbset e të tjerët që përcjellin raportimet e mediave për konfliktin që zë fill më 2011, konsiderojnë se është vështirë të krijohet një pasqyrë nga kjo zonë ku nuk është duke u kursyer asgjë. Madje as jeta e njerëzve.

Edhe poetët sirianë janë në “luftë”. Por me armën e tyre më të fortë: vargjet. Midis poezive, diskutimit e një pasqyre të Sirisë para konfliktit, të premten mbrëma, është mbajtur “Mbramje leximi poezish e bisedë për Sirinë” e organizuar nga instituti “Alter Habitus” dhe qendra “Multimedia”.

Në një bisedë online nga Norvegjia, filozofi shqiptar, Sead Zimeri, ka treguar se qysh prej vitit 2000 për disa vite rresht kishte jetuar në kryeqytetin sirian, Damask. I llogarit si vitet më të mira të jetës së tij. Ka veçuar mikpritjen. “Në vitin 2000 jam befasuar në Siri”, ka thënë ai. Por menjëherë pas kësaj ka shtuar se me të hyrë në këtë shtet, shihet se udhëhiqet nga një sistem diktatorial. Sipas tij, asokohe diktatura depërtonte në çdo aspekt të jetës. Ka thënë se hoxhallarët luanin rol të madh sa i përket religjionit.

“Ata që ishin kundër sistemit, persekutoheshin. Por para luftës ka pasur një tolerancë të madhe fetare. Në Damask kishte xhami e kishë në një oborr”, ka thënë ai. Sipas Zimerit, gratë gëzonin një autonomi goxha të madhe në raport me vendet e tjera arabe, pos Tunizisë. E këtë fakt, tash kur gjërat kanë ndërruar dhe luftohet midis grupeve, këtë e sheh si një prej arsyeve që ka ende aso që e përkrahin presidentin Bashar al-Assad. “Pavarësisht qeverisjes së egër, gratë kishin një autonomi. Shkolloheshin dhe merrnin pjesë në jetën publike. Kjo edhe mund të jetë një arsye që tash ka njerëz që e përkrahin Bashar al-Asadin”, ka thënë Zimeri. Sipas tij, më 2011, ishte koha e revolucionit dhe se forcat e huaja nuk kanë ndikuar në fillimin e tij.

Në mbrëmjen kur herë është diskutuar e herë janë lexuar poezitë e Aicha Arnaout, prozatore e poete me prejardhje shqiptare, poetit Ghayath Almadhoun, pastaj Hammed Abboud dhe Rasha Omran, sociologu e kolumnisti për kulturë, Avni Rudaku, ka thënë se edhe kosovarët mbajnë përgjegjësi për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në Siri. Shumë asete të trashëgimisë kulturore, ndër to edhe të mbrojtura nga UNESCO, janë shkatërruar nga i ashtuquajturi Shteti Islamik.

“Direkt apo indirekt jemi të lidhur me luftën në Siri. Ndoshta ndonjë shqiptar pas 20 vitesh do të dalë para gjyqit për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore”, ka thënë Rudaku. Sipas tij, trashëgimia kulturore atje ka edhe kontekst religjioz. Ka përmendur shkatërrimin e qytetit të Palmyras. Sipas tij, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore nga Shteti Islamik bëhet për dy arsye. “Nxitet rekrutimi i pjesëtarëve të rinj pasi propagandohet kinse po luftohen edhe idhujt dhe trashëgimia e luajtshme tregtohet në mënyrë ilegale dhe shfrytëzohet edhe për furnizim me armë”, ka thënë ai.

Sipas Rudakut pamjet ku anëtarët e Shtetit Islamik presin kokat e njerëzve kanë bërë që të raportohet për Sirinë si një vend tejet i rrezikshëm. Këtë e ka lidhur edhe me raportimin e mediave. Ka thënë se edhe gazetarët kanë frikë të shkojnë. Sipas tij, në njërën anë qeveria propagandon se atje ka ende jetë kulturore e, në anën tjetër, raportohet për luftë të vazhdueshme.

“Është problem edhe marrja e informatave. Informacionet duhet të verifikohen pasi është problem të mbulohet ajo zonë nga gazetarët”, ka thënë Rudaku në ngjarjen ku janë shfaqur edhe fotografitë e realizuara në Siri nga Vedat Xhymshyti. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...