Veshjet popullore shqiptare në kartolinat e hershme [foto]

8 Janar 2017 - 14:11      

Albanologu Robert Elsie ka postuar në faqen e tij të internetit një koleksion të rrallë veshjesh popullore shqiptare në kartolinat e hershme.

Pasuria dhe shumëllojshmëria e veshjeve popullore shqiptare u fotografuan për herë të parë në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë.

Izolimi tradicional i shqiptarëve nga pjesa tjetër e Evropës bënë që veshjet popullore të shfaqnin tipare të veçanta dhe shpesh të rralla, të cilat mahnitën udhëtarët e parë evropianë.

Në Malësinë e Veriut çdo fis, bile çdo luginë dhe çdo fshat, kishte veshje të veta të cilat ishin të dukshme për popullatën në përgjithësi. Veshjet popullore tregonin jo vetëm përkatësinë fisnore dhe fetare, por edhe – për femrat në shumë raste – nëse gruaja në fjalë ishte e martuar apo jo.
Veshjet popullore shqiptare ishin në përdorim të përgjithshëm deri në vitet ‘30, dhe në disa treva shqiptare edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Madje edhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetenjë nuk është gjë e rrallë të shohësh gra të cilat përdorin veshje popullore përditë, apo të paktën në ditën e pazarit.

Kjo vlen në radhë të parë për Veriun e Shqipërisë në rrethet e Shkodrës, të Malësisë së Madhe, të Lezhës dhe të Mirditës, por veshjet shfaqen tek-tuk edhe në zonat e thella të Shqipërisë së Jugut, të Kosovës, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë, transmeton Kult Plus.

Mirëpo, për fat të keq, globalizimi po i zhduk këto veshje me shpejtësi të madhe.

Gatë tre dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit të njëzetë fotografitë e veshjeve popullore u shndërruan në kartolina dhe, si në vendet e tjera, këto të fundit u futën në qarkullim për shitje.

Kjo përmbledhje kartolinash të hershme na vjen nga fondet e Qendrës për Studime Shqiptare (Centre for Albanian Studies) në Londër, së cilës i jemi mirënjohës. Në fund duhet theksuar se kjo përmbledhje ofron në radhë të parë kostumet e Veriut.

Arsyeja e mungesës së veshjeve të Jugut nuk është se ato janë më pak të bukura apo më pak interesante, por thjesht sepse fotografët e parë dhe, rrjedhimisht, kartolinat e para erdhën nga Veriu”, shkruan Elsie.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...