Foto: Reuters

Përmbledhje e KTV-së për vdekjen George Michael [video]

26 Dhjetor 2016 - 19:24      

Këngëtari britanik George Michael, i cili arriti famën gjatë viteve 80-të me bendin e tij ‘Wham’ dhe vazhdoi karrierën e suksesshme edhe si solo këngëtar, vdiq të dielën në shtëpinë e tij. Michael ishte 53 vjeçar.

“Me pikëllim të madh, ju informojmë se i biri ynë i dashur, vëllai dhe miku George vdiq i qetë në shtëpi në natën e Krishtlindjes,” njoftoi publicisti i tij. Ai shtoi se këngëtari vdiq nga problemet në zemër, raporton KTV.

I lindur si Georgios Kyriacos Panayiotou, në vitin 1963, nga prindër grekë e qipriotë, para se të formonte bendin e tij, ai interpretoi në metronë e Londrës. Bendi ndërkohë shiti pothuajse 100 milionë albume në botë dhe mbajti tre turne të mëdha.

Talenti i tij si këngëtar, tekstshkrues dhe producent, e bënë atë një prej artistëve më të dëgjuar. I bekuar me pamje të mirë fizike dhe zë të jashtëzakonshëm, prania e tij në skenë e bëri njërin prej të preferuarve në qarqet e koncerteve, derisa u rrit nga idhulli i adoleshentëve në yll afatgjatë.

Por kishte raste kur telashet e tij me drogën apo organet e rendit shpesh vërshonin ballinat e mediave, që rrezikonin talentin e tij muzikor.

Në ballina gjithsesi zinte vend edhe orientimi i tij seksual dhe pas viteve të tëra të mohimit në vitin 1998, pranoi se ishte homoseksual, pasi u arrestua në një tualet publik në Beverly Hills për një incident seksual.

Në përpjekje për t’u shkëputur nga imazhi i tij i seks simbolit, ai u largua nga bendi në vitin 1986.

Brenda 6 vjetësh të solo karrierës së tij, këngët si “Faith”, “One More Try”, “Praying For Time” dhe dueti me Aretha Franklin “I Knew You Were Waiting For Me” zinin vendet e para në të gjitha top listat, madje edhe ato amerikane.

Pothuajse gjithë vitin 1988, Michael e kaloi në turne, me ç’rast në fund ishte i dërmuar. Solo albumi i tij i dytë, “Listen Without Prejudice”, nga viti 1990, u publikua pa fytyrën e tij në ballinë dhe u shit në vetëm 5 milionë kopje. Si rezultat i kësaj, bashkëpunimi me kompaninë Sony filloi të prishej.

Shkëputjes së kontratës me kompaninë Sony i parapriu një betejë e gjatë ligjore në gjykatat londineze në vitin 1994. Rrjedhimisht u vendos që për dy vjet Michael s’kishte të drejtë të publikonte këngë ose të nënshkruajë kontratë me ndonjë kompani tjetër.

Me 19 qershor 2012, George Michael njoftoi se do të publikojë këngën e re ‘White Light’, e cila shënonte 30 vjetorin e këngës Wham Rap, që e kishte bërë me bendin e tij.

Ndër paraqitjet e tij të fundit publike ishte ceremonia përmbyllëse e Lojërave Olimpike në Londër në gusht të vitit 2012.  


Përmbledhje e KTV-së për vdekjen George Michael by kohanet
comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...