Teknologjia ndihmon të verbrit të “shohin” kryeveprat e artit

25 Dhjetor 2016 - 22:51      

Thesaret e muzeve të artit tani mund t’i shijojnë edhe të verbrit, apo vizitorët me problem shikimi. Printimi 3-dimensional e sjellë në jetë veprën e punuar në telajo.

Vizitorët mund të prekin me dorë relievin e printimit, të dallojnë fytyrat, apo peizazhet e pikturës. Në Vjenë një printer ka krijuar në forma tre-dimensionale disa nga kryeveprat më të njohura të botës:

“Puthja” e Gustav Klimtit ndërthur stilin bizantin me vezullimin e arit. Ajo është një ndër veprat më të njohura të “Periudhës së Artë” të artistit austriak të fillimit të shekullit XX.

Vizitorët në muzeun Belvedere në Vjenë mund të shohin veprën origjinale ose një kopje të printuar të saj të cilin mund ta prekin edhe me dorë.

Tani, të verbrit apo kushdo që ka probleme shikimi mund ta përjetojnë këtë kryevepër duke prekur detajet e një riprodhimi 3-dimensional.

Andreas Reichinger ka punuar që nga viti 2000 për të transformuar veprat 2-dimensionale në punime artistike që mund të përjetohen përmes prekjes. Projekti i tij realizohet falë një pajisjeje të teknologjisë së lartë. Ai thotë se “Puthja” ishte projekti më i vështirë:

“Kjo vepër ka elementë figurativë dhe fizikë. Ka edhe pjesë 2-dimensionale dhe ornamentale. Ka rëndësi të gjendet balanca, që të përcillen pjesët që mund të përfaqësohen me 3 dimensione, por edhe të mos humbasin elementët dy dimensionalë në këtë reliev”.

Dominika Raditsch thotë se ai e arrin me sukses synimin: “Shumë bukur! Tamam ashtu si piktura! Ka shumë detaje”.

Vizitorja Raditsch, e cila humbi shikimin kur ishte katër vjeçe, thotë se mund t’i imagjinojë pamjet në mendje, kur prek me dorë relievin 3-dimensional.

“Pak a shumë ka forma të rrumbullakëta, të ndërthurura. E dallon me dorë. Në shumë pjesë është e sheshtë dhe mendoj se është e ndritshme”.

Falë mjeshtërisë së inxhinierit Reichinger, gjenialiteti i Klimtit dhe bukuria e veprës së tij “Puthja” tani kënaqin jo vetëm syrin, por edhe shqisa të tjera./VoA

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...