25 Dhjetor 2016 - 11:54
Të premten, deputet e Kuvendit të Kosovës e kanë votuar në lexim të dytë këtë Ligj, duke i dhënë dritën jeshile që ai të hyjë në fuqi, shkruan “Koha Ditore”.
Krejt kjo është bërë një dekadë pasi janë hartuar disa drafte të këtij Ligji.
Gjatë tërë vitit Komisioni parlamentar për arsim, shkencë, teknologji, kulturë, rini dhe sport është marrë me amendamentimin e tij. Por vonesat nuk kanë ndikuar në ndryshimin e pikave më të diskutuara.
Gjatë dëgjimeve publike vazhdimisht përfaqësuesit e sportit kanë kërkuar që të rritet përqindja e lejuar për përkrahjen e aktiviteteve sportive.
Kërkohej që kjo shifër të rritej nga 20 në 30 për qind, por kjo nuk është marrë parasysh. Përfaqësuesve të kulturës nuk është se u është ndier zëri. Asnjë anëtar i komunitetit artistik nuk ka marrë pjesë në dëgjim publik, përderisa disa prej tyre kanë dhënë vërejtje pasi janë kontaktuar nga mediat.
Me Ligj parashihet që ata të cilët kanë një aktivitet kulturor, njësoj si sportiv e rinor, e sponsorizojnë deri në 10 për qind të fitimit, të lirohen nga tatimi i fitimit për këtë shumë. Të njëjtën gjë e parasheh edhe pakoja e re fiskale dhe shuma e lejuar e sponsorizimit, e cila nuk do të tatohet në fitim e që shkon në 20 për qind. Kësisoj i bie që nëse një biznes ka fitim vjetor 100 mijë euro, 20 mijë prej tyre do të mund t’i jepte si sponsorizim dhe për këtë shumë të lirohej nga tatimi në fitim.
Miratimin e Ligjit e ka cilësuar si hap pozitiv kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu, ndonëse versioni i miratuar, sipas tij, është larg ideales. Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Belegu ka thënë se pas dhjetë vjetësh angazhim më në fund u miratua Ligji. “Ligji është larg nga idealja, megjithatë me të është paraparë që çdo kompani mund të sponsorizojë aktivitete sportive apo kulturore deri në 20 për qind nga fitimi bruto dhe këtë shteti do ta pranojë si shpenzim dhe rrjedhimisht do ta lirojë nga tatimi për atë shumë”, ka shkruar Belegu.
Kabineti i Qeverisë e ka votuar këtë Projektligj në dhjetor të vitit të kaluar, pasi për një dekadë janë zotuar disa ministra të Kulturës se këtë ligj e kanë prioritet. Asokohe një pjesë e komunitetit artistik nuk ishte pajtuar me këtë Projektligj. Ishte konsideruar se i është bërë me “hile” fushës së kulturës. Lehtësitë e njëjta fiskale për bizneset, pavarësisht se a do të sponsorizojnë fushën e kulturës apo atë të sportit, ishin konsideruar diskriminuese për kulturën.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...