Udhëzime për leximin e romanit “Misioni rus”

24 Dhjetor 2016 - 14:13      

Ky roman, për të cilin autori është angazhuar një kohë të gjatë, duke respektuar çdo personazh, duke i ndenjur gatitu çdo fjale, që të jetë në vendin e vet, për të qenë rrëfimi sa më i qartë, premtoj se ka peshë, sidomos historike.

Ajo që është më interesante dhe që më nxiti të drejtohem në këtë mënyrë, është koha e veprimit, janë datat e sakta; ngjarjet historike gjithashtu, mandej edhe shumë nga personazhet. Vërtet ka personazhe që zbërthehen lakuriq dhe, në ditën e sotme, do të dalin të çuditshme; do të humbin diçka nga patriotizmi, dhe do të fitojnë diçka nga cilësia bashkëpunuese me okupuesit, por i tillë ishte realiteti i kohës. Në jetë ka shumë rrena, shumë glorifikime, shumë zmadhime të ngjarjeve, për shkak se njerëzit u besojnë rrenave, bile i kërkojnë ato për ta ushqyer shpirtin.

Në rreshtat e mësipërm u përmendën personazhet, që, në fakt, mbajnë ekuilibrin e librit, thashë se ka të vërteta mbi ata dhe nuk janë pjellë e imagjinatës. Them gjithashtu se rrëfimi mbështetet në të vërteta historike të kohës kur ndodhi mëvetësia e shtetit shqiptar, por kur (në fillim të shekullit të kaluar) ndodhën edhe krimet e bëra nga serbët në viset shqiptare, që paraqesin strumbullarin e gjithë rrëfimit përmes emrave që i kemi dëgjuar nga të parët, ose për të cilët kemi lexuar në shtypin e huaj, por nuk i kemi pasur të analizuar e të studiuar realisht.

Titulli i librit ofron referencën në një mënyrë, por kjo merret vetëm me një anë, me atë që quhet krim ndërkombëtar. Sepse t’i kesh në oborr dhe shtëpi të paftuarit, gjithnjë me emra konspirativë, nuk ke se si e kupton ndryshe, pos krim. Ky truall përherë ka qenë në vorbën e krimeve, por ato kanë ndryshuar në esencë, sipas interesave të oligarkisë së një shteti apo tjetri. E interesat kanë qenë (dhe janë) aq të mëdha, të popujve që as më të voglën dhembje nuk e kanë për shqiptarët, për tokat e tyre, e lëre më për shtetin e tyre. Ata, për shembull, (mendjen e kam te kastat sllave), edhe atëherë kur mendohej se ishte avancuar logjika njerëzore e botës, afro tridhjetë vjet nga përfundimi i ngjarjeve në këtë roman, desh u çmendën kur erdhën gjermanët dhe kur (tre gjermanë pushtuan ose çliruan qytetet shqiptare të Kosovës dhe të viseve tjera me shqiptarë, krijuan shtetin etnik shqiptar me 74. 000 kilometra katrorë. Ata, pastaj, fjalën e kam për sllavët, bënë krejt çfarë mund të bëhej tragjikisht dhe e rrudhën shtetin shqiptar në përmasa të përgjysmuara, domethënë shtetit shqiptar ia lanë diku rreth 34.000 kilometra katrorë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...