Misionarët rusë shfrytëzuan shqiptarë naivë e analfabetë

24 Dhjetor 2016 - 13:56      

Si hoxhallarë, mësues, ushtarakë e njerëz që u takojnë agjencive të punësimit, ishin maskuar misionarët rusë që shërbenin në Kosovë.

Shkrimtari Ibrahim Kadriu, nëpërmjet romanit “Misioni rus”, zbërthen faktet historike, duke u shtuar dozën e fiksionit. Në veprën me të cilën ka marrë shpërblimin për romanin më të mirë shqiptar, “Rexhai Surroi”, Kadriu kthehet prapa në kohën kur shqiptarët merrnin shërbime nga njerëz që kishin për qëllim shpërndarjen e ideologjive.

Në një intervistë për “Kohën Ditore”, pas pranimit të shpërblimit, Kadriu ka thënë se gjithmonë e kanë tërhequr temat historike dhe shumë romane të tij e kanë këtë bazë. Ka treguar se çështja e misionarëve rusë e ka preokupuar qysh kur një i moshuar i kishte treguar se në Xhaminë e Sinan Pashës në Prizren kishte shërbyer për 20 vjet një imam rus.

Kazimir Olenko paraqitej si mulla Adnani. E me hyrjen e forcave serbe në Prizren, më 1912, Olenko kishte lënë Xhaminë për të shërbyer në të tjera anë. Kadriu ka thënë se rusët kanë shfrytëzuar naivitetin shqiptar për të shpërndarë ideologji. Sipas autorit të rreth 70 veprave letrare, pasojat e misioneve të tilla vërehen edhe sot.

Ka thënë se tashmë ka fshatra serbësh që nga mënyra se si jetojnë merret vesh se ishin shqiptarë, duke shtuar se qëllimi i misionarëve të tillë ishte që t’i ofronin shqiptarët myslimanë më shumë me serbët dhe t’i largonin nga katolikët. Përmend edhe faktin se në Kosovë nuk ka shqiptarë ortodoksë, edhe pse trevat e kësaj ane i takonin Bizantit.

Të gjitha personazhet ruse të librit kanë të paktën edhe nga një emër shqiptar. Ruslan Nikollai në ambientet katolike përdorte emrin Zef Kristi e në ato myslimane, Faruk Myrta. E Tatjana Volovna paraqitej si mësimdhënëse, duke u prezantuar me emrin Emine Brajari. Kadriu tregon se gjatë hulumtimeve rusët i ka hasur gjithkund. Thotë se ata edhe sot janë të pranishëm në Kosovë e sidomos në Mitrovicën e Veriut.

Përshkruan se si historikisht Rusia ka qenë e rreshtuar kundër shqiptarëve. Këtë e dëshmon me mospërkrahjen gjatë Lidhjes së Prizrenit. Kadriu tregon edhe për vrasjen e dy konsujve rusë, ku në rastin e Mitrovicës dorasi quhet Ibrahim ashtu sikurse vetë autori dhe vjen nga po i njëjti fshat. (Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...