“Në shenjë të teatrit” si thirrje kundër pseudovlerave

22 Dhjetor 2016 - 11:21      

Prishtinë, 22 dhjetor - Me qëllim të paraqitjes së vlerave të mirëfillta autentike teatrore, shpërfaqjen e degradimit apo krijimin e një shijeje për artin, duke analizuar vlerat dhe pseudovlerat që përmes tyre të përmbysë një sistem të vlerësimit kritik, dramaturgu e kritiku Besim Rexhaj ka përmbledhur në një libër vështrimet e tij për teatrin e shfaqjet teatrore.

“Në shenjë të teatrit”, në katër kapituj, vijnë ese e analiza teatrore që sjellin një mozaik për skenën gjatë një gjysmëshekulli. Në kapitullin e parë, “Në fund të viteve ‘80” dhe të dytin “Teatri i viteve ‘90” autori vë në pah radikalizmin e masave të dhunshme mbi teatrin, të instaluara nga pushteti serb me qëllim të rrënimit të institucioneve kulturore në vend. Dëshmon se si hapësira për krijim e artistëve kosovarë ishte ngushtuar, dhe jo vetëm në teatër, por edhe në fusha të tjera të artit.

Me dy kapitujt e tjerë, “Teatri i fillimshekullit tonë” dhe “Në shenjë të një festivali”, Rexhaj, përmes analizave të tij, vë në pah qasjen regjisoriale, dramaturgjike dhe lojën e aktorëve. Flet për mungesën e audiencës në teatër, dhe festivalin ndërkombëtar të teatrove “Kosova InFest”, i cili tash e sa vite nuk organizohet më. Rexhaj këtu vë në pah edhe mungesën e kritikës së mirëfilltë dhe shkrimeve analitike.

Si një vepër për kujtesën kolektive, u cilësua një ese “Një shenjë...” në përurim, të mërkurën, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogrdani”, organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve të Kosovës.
Dramaturgu kosovar, Arian Krasniqi, ka thënë se kjo vepër është e një rëndësie të shumëfishtë për shkak të analizave që sjell.
“Përveç tjerash, shkrimet e përmbledhura në këtë libër, veçanërisht ato që analizojnë, interpretojnë dhe vlerësojnë produksionin teatror të viteve ’90 hedhin dritë mbi një periudhë të zhvillimeve dramaturgjike dhe teatrore pak të njohur për ne, sidomos nga brezat e rinj”, ka thënë Krasniqi.

“Libri në fjalë dëshmon për njohuritë e thella teorike që autori ka për aspekte të shumta dramaturgjike, teatrore, socio-kulturore, dhe psikologjike”, ka thënë Krasniqi, i cili po ashtu ka analizuar shkrimet e botuara në këtë libër, që, sipas tij, janë frymëzim i “fenomeneve paradoksale të shfaqura gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar dhe gjatë viteve të mbas luftës, kryesisht nga fenomene të cilat e kanë zmbrapsur zhvillimin e mirëfilltë të dinamikave teatrore e dramaturgjike”.

Vetë Rexhaj ka thënë se është i kënaqur sikur vepra e tij të ketë sado pak në një rrafsh. “Qoftë vetëm pak të ndihmohet në dekontaminimin dhe shikimin e vlerave shoqërore e jo vetëm politike, apo edhe fare pak në krijimin e një shijeje autentike artistike, do të isha shumë i lumtur”, ka thënë Rexhaj (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...