Foto: Koha

“Duke i shëruar plagët përmes artit” shpalos në Berlin shembujt e suksesit të artit kosovar

19 Dhjetor 2016 - 08:50      

Prishtinë, 19 dhjetor – Një instalacion me fustanet e viktimave të dhunës së luftës në Kosovë bëri që shoqëria kosovare të flasë për një të vërtetë të hidhur që për vite të tëra u mbajt e heshtur.

Edhe bota ktheu vëmendjen nga viktimat e dhunës seksuale, pasi artistja Alketa Xhafa-Mripa mbushi stadiumin e Prishtinës me fustane, në shenjë solidarizimi, shkruan sot “Koha Ditore”. E një festival me filma dokumentarë e të shkurtër e vuri Kosovën në hartën kulturore duke thyer normat e nacionalizmit, racës, apo edhe kulturës. Dy këngëtare kosovare të rritura në Londër, Rita Ora e Dua Lipa, janë shembull i suksesit me arritjet e tyre në muzikë, ku rangohen përkrah me muzikantë botërorë.

Petrit Halilaj ishte artisti i parë që prezantoi Kosovën në Bienalen e Venecias, para tre vjetësh. E filmi “Shok” shënoi momentin historik për kinematografinë e vendit duke u nominuar për çmimin prestigjioz “Oscar”. Ndërkohë një grup artistesh me emrin “Haveit” me performanca luftojnë barazinë gjinore e patriarkalizmin. Krejt këta janë shembuj që ish-presidenjta e Kosovës, Atifete Jahjaga i ka prezantuar para liderëve botërorë në konferencën e “Institutit për Diplomaci Kulturore” në Berlin.

Jahjaga të shtunën ka rrëfyer sesi artistët kosovarë gjetën kuptimin në traumën kolektive të luftës, dhe se si ata e kanë përdorur artin për të pajtuar dhe provokuar shoqërinë, për të thyer barriera dhe në disa raste edhe për t’i zhbërë disa mite tradicionale.

“Si dëshmitarë të shtetit të dërrmuar fizikisht dhe një shoqërie të thyer emocionalisht ata e morën përsipër përgjegjësinë për të shëruar shoqërinë përmes artit të tyre”, ka thënë Jahjaga gjatë fjalimit me titullin “Duke i shëruar plagët përmes artit”.

Konferenca bëri bashkë 500 delegatë nga fusha të ndryshme të politikës dhe religjionit me akademikë e artistë nga të gjitha anët e botës me qëllim të promovimit të paqes. Aty folën edhe përfaqësues të Ukrainës, Ganës, Maltës, Austrisë, Hungarisë, Bullgarisë, Rumanisë, Serbisë, Sllovenisë etj.

Konferenca e “Institutit për Diplomaci Kulturore” (ICD) është ngjarja kryesore botërore në fushën e diplomacisë kulturore që organizohet në çdo fundvit. Këtë vit konferenca u fokusua në ngritjen e vetëdijes dhe mbështetjes për aktivitetet që promovojnë të drejtat e njerëzve. Kjo konferencë mëton të prezantojë praktikat e suksesshme në fushën e të drejtave të njeriut dhe sesi mund të shërbejë diplomacia kulturore në ndryshimin apo lehtësimin e çështjeve të ndryshme shoqërore.

Kësisoj Jahjaga në fjalimin e saj ka përmendur disa prej artistëve dhe ngjarjeve kulturore që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Kosovës dhe me veprat e tyre vënë në pah një copë historie për të shënuar histori të re.

Veç artit, Jahjaga ka përmendur edhe gjendjen e tanishme në Siri dhe si Kosova u gjet në një situatë të ngjashme para 17 vjetësh. Ka thënë se Kosova nuk është më një vend i shkatërruar nga lufta dhe se në vitin 2008 e ka shpallur Pavarësinë. Ajo e ka pranuar se Kosova ka ende punë për të bërë.

Veç muzikës e instalacioneve, ajo ka përmendur edhe “DokuFestin”, i cili këtë vit shënoi edicionin e tij të XV, duke thënë se për pesëmbëdhjetë vjet festivali i ka dhënë fund izolimit duke krijuar lidhje të mahnitshme të bashkëpunimit duke sjellë artistë botërorë e evropianë në Kosovë... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...