16 Dhjetor 2016 - 11:01
Asokohe pretendonte që brenda 2015-s të përfundojë puna e projektit. Por tashmë janë bërë dy vjet dhe ende nuk ka nisur të punohet as detyra projektuese. Edhe njëherë buxheti i mbetur për këtë projekt do të shkojë në suficit. Kësisoj për dy vite, pos një konkursi për detyrë projektuese, rezultati i të cilit nuk është publikuar ende, puna sa i përket këtij projekti të nisur para një dekade, është e barabartë me zero.
Në Ligjin për buxhet, MKRS-ja sivjet kishte paraparë 450 mijë euro për këtë projekt. Por në rishikimin e buxhetit në qershor të këtij viti vetëm 116 mijë euro kanë mbetur për atë që konsiderohet të jetë investimi më të madh në fushën e kulturës. E sipas Projektbuxhetit për vitin 2017, për këtë projekt parashihen 300 mijë euro.
Ministria e Kulturës ka hapur konkurs publik për atë që quhet “Detyrë projektuese”. Konkursi njëjavor është mbyllur qysh me 15 nëntor, por ende nuk është publikuar emri i kompanisë fituese. Sipas konkursit, kompania që do të fitojë këtë tender të llogaritur se do të kushtojë deri në 9 mijë euro, do të bëjë analizën e lokacionit, mbledhjen e informatave dhe prezantimin e tyre. Detyrën projektuese do ta punojë sipas rregullave teknike për objektet e operave.
Objekti parashikohet të ndërtohet në parcelën prej 2.6 hektarësh afër Fakultetit Teknik. Kjo nismë është marrë një dekadë pas projektit të parë e shtatë vite pasi është vënë gurë themeli i objektit ku janë shpenzuar mbi një milion euro të cilat kanë shkuar huq. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, kompania që do ta kryejë detyrën projektuese është përzgjedhur, por ende nuk është publikuar emri i saj e as nuk është lidhur kontrata. Arsye për këtë del të jetë mosnënshkrimi i një deklarate të disponueshmërisë.
Gazeta ka raportuar se sa i përket këtij projekti kapital, MKRS-ja mbështetet në një leje të lëshuar nga Komuna e Prishtinës, më 2006, në bazë të së cilës i lejohet shfrytëzimi i hapësirës. Por familja Havolli nga Prishtina pretendon se është pronare e 1 hektar e 32 arësh në parcelën prej 2.6 hektarësh afër Fakultetit Teknik. Për këtë familja Havolli bazohet në një vendim të vitit 1998, të lëshuar asokohe nga Ministria e Financave në Beograd. Aktualisht çështja është në dorë të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe familja që nga paslufta ka kërkuar t’i kthehet prona. Seanca e fjalës përfundimtare ishte caktuar të mbahej në shtator, por ajo ishte shtyrë për 3 nëntor. Prapë është shtyrë për 17 janar të vitit të ardhshëm.
Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, ka kohë që i ka humbur shpresat se ky projekt do të konkretizohet ndonjëherë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...