Fama e një arkitekti

12 Dhjetor 2016 - 14:55      

(Dr. Fatmir Terziu “Përparim Rama, emër global i arkitekturës bashkëkohore”, botues “Lulu & ACPE” USA, 2016, dhe ribotim në Prishtinë)

Një botim interesant erdhi kohë më parë edhe në Prishtinë, si ribotim, pasi që botimi i parë ishte shtypur në Amerikë, shkruan “Koha Ditore”. Fjala është për monografinë mbi arkitektin Përparim Rama, i cili, në Londër, ka arritur nivelin më të lartë të profesionit të tij, duke depërtuar (pikërisht nga Londra) në shumë vise të botës, gjithnjë me kreativitetin prej arkitektit me famë.

Ky emër i ngritur lart, vjen në formën monografike nga dr. Fatmir Terziu, elbasanasi, i cili jeton dhe krijon në Londër, duke i çuar përpara afinitetet krijuese në fushën e letërsisë, në studime, filma, ese; me dhjetëra vepra të zhanreve të ndryshme të botuara dhe i nderuar me dhjetëra çmime për punë të suksesshme.

Një emri të tillë, pra dr. Fatmir Terziut, i ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme rruga e sukseseve të të riut nga Prishtina, i cili si gjashtëmbëdhjetëvjeçar i shpëton dhunës serbe dhe vendoset në Londër, ku do t’i kryente të gjitha shkallët e studimeve të arkitekturës. Siç shkruan autori i monografisë, Përparim Rama bëhet themeluesi dhe drejtuesi i kompanisë arkitekturore në Londër, “4M Group”, duke u përfshirë në zhvillimet e ndryshme skemash të mëdha, bile edhe si konsulent për planifikim hapësinor dhe arkitekturë për minibashkitë londineze, Newham dhe Tower Hamlet, në përgatitje për Lojërat Olimpike “Londra 2012”.

Autori i librit tregon se Përparim Rama ka përvojë mbi dhjetëvjeçare në një sërë projektesh në rezidenca, komercialitete, hotele... Ndërkaq veprimtaria e tij në arkitekturë është shtrirë në shumë vende: New York, Londër, Udine (Itali), Lagos (Nigeri), Bazel (Zvicër), Pragë, Damask, Shqipëri, Bali, Xhakarta (Indonezi), Perth (Australi), Sri Lanka, etj.

Përparimi ka bërë edhe dizajnin dhe mbikëqyrjen e punimeve të “Hamam Jazz Barit” në Prishtinë, që është vlerësuar nga “Word Interiors News Award” me çmimin e parë. Ky çmim, siç thotë autori i librit, i është ndarë në ceremoninë e organizuar në Galerinë e Artit me famë botërore “Saatchi” në Londër, me kryetar jurie historiani i artit, Andrew Graham-Dixon.

Me gjithë këtë përvojë të kurorëzuar me suksese të mëdha, është bërë anëtar i Qendrës evoluese të kompjuterëve në arkitekturë në UEL (Universiteti Lindor i Londrës) dhe vazhdon kërkimet shkencore në SMARTlab. Gjithashtu ai lekturon në Qendrën për informatikë evoluese në arkitekturë dhe është kandidat i doktoraturës, PhD, me temën “Modelet gjeneruese 3D, të qyteteve përgjegjëse nga ana sociale”.

Dr. Fatmiri, me qëllim që jeta e këtij arkitekti me karrierë të shkëlqyeshme në përmasa botërore të jetë gjithëpërfshirëse, ka ofruar shënime me bollëk jo vetëm për personazhin Përparim Rama, por edhe për rrugëtimin e tij nga fëmijëria, për familjen e tij, prindërit (babai i tij piktori dhe profesori i Fakultetit të Arteve, i ndjeri Kadrush Rama, kurse e ëma Nazmija, pedagoge) dhe për nusen e tij, Kristalen, Kristale Ivezajn, që vinte nga Detroiti, ndërkaq familja e saj nga Thethi i Shqipërisë së Veriut ishte vendosur kaherë atje, duke u shquar me veprimtari patriotike. Na kujtohet Pjetër Ivezaj, axha i Kristales, të cilin në vitet tetëdhjetë për veprimtari për çështje shqiptare e patën burgosur në Mal të Zi, kurse për lirimin e tij qe angazhuar edhe Kongresi Amerikan që lëshoi edhe Rezolutën për ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë në rast se ai mbahej në burg. Kristalja, pra, ishte e asaj familjeje; ishte martuar me Përparimin, me të cilin kanë një vajzë dhe jetojnë në Londër. Kristalja udhëheq asociacionin “Ballkan Artists Guild”.

Në këtë monografi, të përgatitur me përkushtim profesionisti, dr. Fatmir Terziu ka sistemuar shumë të dhëna, jo vetëm për personalitetin krijues të Përparimit, por edhe të familjes së tij, duke u dhënë rëndësi gjurmëve të traditës kulturore e historike që kanë pasur ndikim te ky krijues, duke “shfletuar” të dhëna edhe nga ana e dajave të tij, siç ishte autoriteti i Ramiz Cernicës, e kështu me radhë. Nga të gjitha këto të dhëna, qoftë edhe me vlerësimet që i bën zhvillimit të arkitekturës, e sidomos të asaj tradicionale shqiptare, që kanë mundur të kenë ndikim te përkushtimi i Përparim Ramës, ky libër del si një enciklopedi, që lexuesin e furnizon me aq shumë të dhëna; që të gjitha brenda kopertinave me titull “Përparim Rama, emër global i arkitekturës bashkëkohore”. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...