3 Dhjetor 2016 - 16:33
Në Sheshin “Nënë Terezë” ishin mbledhur e gjithë ekipa e filmit, ku secili kishte marrë rolin e vet dhe po bëheshin gati për të filluar me këmbë të mbarë. Në këtë pjesë të shkurtër që u xhirua sot, luajtën Donat Qosja, Teuta Krasniqi, Lis Tafa dhe Artiola Hamdijaj, një familje kjo e cila po ecte në Shesh ku të dy prindërit dukeshin të shqetësuar, ndërsa shoqëroheshin nga loja e bukur e fëmijëve të tyre që ju silleshin përreth duke mos vërejtur shqetësimin e prindërve.
“Një tregim Prishtine”, është një dramë familjare që flet për një familje të shtresës së mesme, e cila përballet me sëmundjen e vajzës së tyre; leukeminë akute dhe mënyrën se si ata i sigurojnë mjetet për shërimin e vajzës. Krejt ky rrëfim përfundon me shërimin e vajzës por me shumë peripeci gjatë asaj kohe. Skenari ndjekë dy linja dramatike që janë drama familjare dhe drama korruptive.
“Sot filluam kllapën e parë të filmit, në një farë forme e kemi nisë xhirimin e filmit. Këtë muaj do të realizohen 3 skena. Sot është xhiruar skena e 15-të për shkak të kohës. Ndërsa më datë 15 shkurt do të vazhdojmë me xhirimet e gjithë filmit. Filmi do të xhirohet kryesisht në Prishtinë, përveç një lokacioni i cili është jashtë vendit”, ka treguar regjisorja e filmit Burbuqe Berisha për KultPlus.
Sipas skenaristes, Getoarbë Mulliqi-Bojaj, tema e filmit është një temë që na rrethon dhe është në fakt problem global. “Jam shumë e lumtur që filluan xhirimet e filmit. Filmi bëhet për dy mediume, është skenar dhe për kinema dhe pjesa më e bukur e gjithë këtij procesi është që nuk mbetet në sirtar skenari. Është ndjenjë shumë e mirë kur i sheh personazhet e letrës që tashmë janë mishëruar në njerëz. I përgëzojë shumë Burbuqe Berishën dhe Agron Vulën për përzgjedhjen e kastës së aktorëve sepse i kanë mishëruar në mënyrën më të mirë. Po shpresoj që do të shkojë gjithçka mbarë ashtu siç shkoi dita e parë”, ka thënë Getoarbë Mulliqi-Bojaj për KultPlus.
Rolet kryesore në këtë film i luajnë aktorët Donat Qosja dhe Teuta Krasniqi, ndërsa në rolet tjera Aurita Agushi, Luran Ahmeti, Ylber Bardhi, Edison Kastrati, Myrvete Kurtishi, Lis Tafa, Artiola Hamdijaj e të tjerë.
Aktori Donat Qosja, i cili sot edhe xhiroi një pjesë të shkurtër të filmit tregoi pak më shumë rreth rolit të tij në këtë film.
“Jemi angazhuar disa njerëz që e duam filmin, e kemi një skenar shumë të mirë me të cilin do të punojmë të gjithë në profesionin tonë. Është një tregim i thjeshtë por me një skenar jashtëzakonisht të mirë. Roli im në këtë film është ai i babait, i cili ka disa kthesa dramaturgjike që janë jashtëzakonisht të mira për këtë karakter”, ka treguar Donat Qosja.
Filmi për producent ka Agron Vulën, me produksion Abfilm, i cili tha që deri tash kemi qenë në fazën organizative, andaj po ndihej i lumtur që sot filluan xhirimet. “Jemi mbledhë të gjithë ata që e duam filmin dhe kemi vendosur ta përfundojmë filmin me sukses”, ka thënë Agron Vula.
Filmi është financuar nga QKK në vitin 2015, në kuadër të konkursit për film të metrazhit të gjatë për regjisorët debutantë. “Një tregim Prishtine”, pritet të vijë premierë në muajin qershor të vitit 2017.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...