Në Gostivar u mbajt ekspozita mbarëkombëtare “Çmimi i Nëntorit”

30 Nëntor 2016 - 09:33      

Në organizim të Shoqatës së Artistëve të Artit Figurativ “Draudacum”, dhe me mbështetje financiare të Komunës së Gostivarit dhe Ministrisë së Kulturës, me rastin e festës kombëtare të 28 Nëntorit, në Gostivar u mbajt edicioni i 11-të i ekspozitës mbarëkombëtare “Çmimi i Nëntorit”.

Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Gostivarit Bashkim Hasani, theksoi se: “Ekspozita “Çmimi i Nëntorit” tashmë është bërë një traditë e bukur në qytetin e Gostivarit, ku në një vend mblidhen artistë të artit figurativ nga gjitha trojet shqiptare”, transmeton KultPlus.

“Komuna e Gostivarit vazhdimisht u ka dhënë përkrahje aktiviteteve të tilla artistike dhe kulturore. Është bërë traditë që qyteti i Gostivarit të grumbullon për çdo vit artistët nga gjitha trojet shqiptare. Gostivari me të drejtë ka fituar epitetin e qytetit të artit figurativ”, ka thënë mes tjerash Hasani.

Kryetari i Shoqatës “Draudacum”, Reshat Ameti ka theksuar se Komuna e Gostivarit, por edhe Ministria e Kulturës, tashmë disa vite po i japin mbështetje jetës kulturore në qytetin e Gostivarit, dhe me theks të veçantë aktiviteteve të kësaj shoqate, për çka, shprehu mirënjohje publike.

“Ekspozita e radhës e shoqatës e cila është tradicionale “Çmimi i Nëntorit” vazhdon edhe më tej të jetë ndër ekspozitat më cilësore të organizuara në këto treva kulturore. Në këtë ekspozitë defilojnë artistë të rëndësishëm të kohës dhe me relevancë artistike, ndërsa këtë e argumenton edhe prezenca e veprave të emrave të rëndësishëm dhe të dëshmuar me cilësi vendore dhe botërore të artit figurativ shqiptar. Idetë artistike, motivet dhe mesazhet estetike filozofike, janë të ndryshme duke filluar nga realja, asociativja dhe deri tek abstraksioni dhe janë zgjedhje individuale që e iniciojnë artistin që të shprehet. Pra, prezantohen vepra me stile të ndryshme, filozofi të pasur krijuese dhe laramani në koncept. E gjithë kjo, e pasqyron realitetin dhe zhvillimin tonë artistik në lëmin e artit figurativ, gjë që nuk është larg nga nivelet tjera artistike në botë. Artistët shqiptarë janë kreativ, me ego të theksuar, krijues me vullnet të fuqishëm për të qenë në hap me kohën, por edhe të jenë udhëheqës në rrugëtimet artistike”, ka thënë Ameti.

Interesi kaq i madh i artistëve nga të gjitha trevat kulturore shqiptare, tha ai, për të marrë pjesë në këtë ekspozitë, dëshmon se kjo shoqatë është rritur dhe është formuar si epiqendër е artistëve shqiptarë, fortesë ku kultivohet dhe zhvillohet arti pamor, strehimore e vlerave të dëshmuara, por edhe mundësi për artistët e rinj të cilët shkëndijat artistike kanë filluar t’i rrezatojnë nga kjo shoqatë, po ashtu edhe rritjen e tyre individuale.

I pranishëm në manifestim ishte edhe sekretari shtetëror pranë Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapi, i cili tha se traditën e “Draudakum” por edhe të Gostivarit në përgjithësi, duhet ta ndjekin edhe qytete tjera të Maqedonisë, për siç tha, mënyrën e denjë të organizimit të çdo eventi kulturorë.

Nga juria profesionale u vendos që “Çmimi i Nëntorit”, t’i takoi artistit nga Kumanova, Rexhai Hyseni. Skender Idrizi nga Mitrovica fitoi çmimin për pikturë, ndërsa Shkurta Haxhiu çmimin për grafikë.

Veprat që prezantohen në këtë ekspozitë, janë nga artistë të të gjitha hapësirave kulturore shqiptare: Maqedonia, Kosova, Shqipëria, si dhe nga diaspora. Të pranishme janë veprat artistike me prejardhje nga lëmi të ndryshme të artit pamor; pikturë, grafikë, skulpturë, por nuk mungojnë as veprat nga mediumet tjera, siç janë: fotografia artistike, dizajni grafik dhe lëmi tjera jotradicionale.  

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...