30 Nëntor 2016 - 10:35
Për nëntëdhjetë minuta, të hënën mbrëma, të gjithë u bënë protagonistë të një koncerti. Ansambli i këngëve dhe i valleve “Shota” i falënderoi për kontributin nëpërmjet muzikës, shkruan sot “Koha Ditore”. Në një koncert që iu dedikua 28 Nëntorit dhe pesë dekadave punë të Beqirit me këtë ansambël, interpretimi i himnit të shtetit shqiptar i hapi rrugë një udhëtimi nëpër kohë.
Krijimet e kompozitorit Fahri Beqiri - i cili njihet si një ndër aktivistët më të shquar të jetës muzikore - u interpretuan për të justifikuar përcaktimin që një institucion ta nderojë atë. Një këngë të cilën ai para tetë vitesh do t’ia kushtonte Pagarushës, u interpretua nga solistë të ansamblit “Shota”, të shoqëruar nga orkestra e valltarët. Kënga ishte “intro” e pjesës së koncertit që iu dedikua këngëtares, e cila mban epitetin “Bilbili i Kosovës”.
Me një fustan të zi, të gjatë, të dekoruar me detaje shumëngjyrëshe në pjesën e sipërme, Nexhmije Pagarusha hyri në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kur radha i erdhi këngëtares Violetë Kukaj, Pagarusha bëri atë që u shndërrua në momentin më të rëndësishëm të mbrëmjes: interpretoi live. Pagarusha e shoqëroi Kukajn në një prej strofave të këngës “Sonte ngushëllim kërkova” - e kompozuar nga Beqiri para më shumë se katër dekadash.
Pagarusha në vitin 1984 u tërhoq nga skena. Në vitin 2000 këndoi vetëm një këngë në koncertin organizuar për nder të saj në Tiranë.
Fahri Beqiri ishte heroi tjetër i mbrëmjes. Ai dirigjoi orkestrën e ansamblin në interpretimet e melodive që kishte shkruar gjatë karrierës së tij.
Në koncertin e së hënës ai dirigjoi këngët e interpretuara nga solistët Violetë Kukaj, Ismet Bogujevci, Myrvete Bajrami-Haziri, Ruzhdi Morina e të tjerë. Valltarët kërcyen vallen e Drenicës e të Dibrës, teksa fundi u shoqërua me një performancë që “ndezi” audiencën. Tre aktorë dolën në skenë për të improvizuar një bisedë mes Isa Boletinit e Hasan Prishtinës, Ismail Qemalit, që u finalizua me fjalët e këtij të fundit: “Shqipërinë do ta bëjmë” ... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...