Shkurtan Hasanpapaj, një ndër burrneshat e fundit në Shqipëri

26 Nëntor 2016 - 16:40      

Shkurtan Hasanpapaj, një nga burrneshat e fundit në Shqipëri. Gjatë gjithë jetës ka jetuar në fshatin e lindjes në Tropojë, por tashmë në moshën 82-vjeçare ka vendosur zbresë në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër.

“Unë që fëmijë kisha qejf të shkoja me bagëti dhe vishesha me pantallona. Asnjëherë nuk pranoja të vishja rroba femrash. Por rroba djemsh”, rrëfen Shkurtan Hasanpapaj, raporton Tch.

Në familje ishin 4 motra dhe 2 vëllezër. Prindërit i kishin vënë emrin Shkurte, por qëkur ishte fëmijë e bëri këtë zgjedhje për të cilën thotë se nuk është penduar.

“Dëshira edhe për të ndihmuar vëllanë, familjen. Kisha qejf vazhdimisht. Më thoshin që të martohesha, po nuk kam pranuar asnjëherë, as kam pranuar. Nuk e di gjë fare ça janë ato punë. Nuk jam penduar hiç, asnjë fije. E bëra dhe e zbatova deri në fund”, thotë ajo.

Sot ka pak të afërm. Ata janë nipër e mbesa që shkojnë dhe e takojnë apo edhe e marrin në telefon nga jashtë.

“Kanë ardhur më kanë parë, e më shohin djemtë e motrave, çikat e motrave, nipat, të gjithë. Vijnë e më shohin, po kush ka mundësi merr në telefon vazhdimisht. Në fshat kanë respekt të tërë. 120 numra telefonash kam që më marrin në telefon nga të katër anët e fshatit dhe të kooperativës që kemi qenë dikur”, thotë Shkurtane.

Në fshat thotë se kanë mbetur edhe dy burrnesha që herë pas here janë bërë objekt i dokumentarëve dhe filmave, ndërsa me të mbërritur në Shkodër ka nisur një tjetër jetë nga ajo e fshatit.

“Dal në Pazar, kthehem. Rri shoh televizor. Rri me njerëzit këtu, me burra dhe gra. Kur isha e re kisha punë plot. Kam qenë brigadier dhe siç ishte në atë kohë, vetëm punë”, vijon Shkurtane.

Burrneshat shpesh janë bërë objekt i dokumentarëve dhe filmave nga regjisorë dhe producentë të huaj. Interesi ka qenë i madh vitet e fundit në mënyrë të veçantë jashtë Shqipërisë, pasi historia dhe jeta që kanë bërë ka ngjallur kuriozitet të madh. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...