“Home” në garë për “Oscar” evropian dëshmon nivelin e filmit vendor

23 Nëntor 2016 - 09:20      

Prishtinë, 23 nëntor - Me filmin që trajton temën e refugjatëve, në bashkëproduksion me Britaninë e Madhe, Kosova për të parën herë është afër mundësisë për të marrë çmimin prestigjioz kinematografik, i njohur si “Oscar evropian”.

“Home” nën regji dhe me skenar të filmbërësit britanik Daniel Mulloy, është nominuar në kategorinë e filmit të shkurtër evropian nga Akademia Evropiane e Filmit (“European Film Acaedemy”). Edicioni i sivjetmë, i 29-ti me radhë, i “European Film Awards” do të mbahet më 10 dhjetor në Varshavë, Poloni, në kryeqytetin evropian të kulturës për vitin 2016. Mes fituesve potencialë është edhe filmi “Home” - produksion i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” dhe kompanive “Black Sheep Studios” dhe “Somesuch” nga Anglia.

Eroll Bilibani, drejtori ekzekutiv i “DokuFestit”, njëherësh edhe producent ekzekutiv i filmit, ashtu sikurse edhe aktorja e kosovare me nam botëror, Arta Dobroshi, në mesin e 11 producentëve, ka thënë se ky nominim ka domethënie të veçantë.

“Është nder i madh për ne që jemi bashkëproducentë, duke marrë parasysh që e kemi një film të Kosovës për herë të parë në këtë garë prestigjioze”, ka thënë Bilibani.

Në vitin 2012, filmi “Kthimi” i regjisores Blerta Zeqiri e humbi shansin. Ishte tërhequr nga nominimi për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit, për shkak të mosmarrëveshjeve midis regjisores dhe producentit Blerim Gjoci.

“Home”, i cili është nominuar përkrah filmave “A Man Returned”, “Amalimbo”, “Edmond”, “I’m Not From Here”, “In the Distance”, “Shooting Star” e të tjerë, shpalos historinë e dhimbshme të një çifti britanik që braktis vendin e vet, bashkë me dy fëmijët, por e gjejnë veten në zonë lufte (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...