22 Nëntor 2016 - 12:23
Në mbledhjen e mbajtur më 19 gusht, Këshilli Drejtues i TKK-së, pasi ka shqyrtuar procesin e punës së intervistimit dhe përzgjedhjes së aktorëve për Ansamblin rezident të aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës (rregullorja Nr. 05/2015/ shpallja me numrin e referencës 13/2016) kishte marrë vendimin që “anëtarëve të komisionit të caktuar nga Këshilli Drejtues, për të përcjellë dhe lehtësuar procesin e zgjedhjes së aktorëve për Ansamblin Rezident, t’u paguhen honoraret”.
Në bazë të këtij vendimi, anëtarët e jurisë: Ilire Vinca, Kushtrim Koliqi, Agon Myftari, Trimor Dhomi dhe Shkelzen Veseli duhet paguar me nga 500 euro secili, derisa për dy anëtarët e Këshillit Drejtues, Arian Krasniqi dhe Xhejlane Godanci, të cilët kanë monitoruar procesin, nga 400 euro secili.
Si rrjedhojë, MKRS nuk ka kryer obligimet financiare prej 3300 eurosh. Se mjetet nuk kanë dalë ende në llogaritë e personave të përfshirë në këtë proces, KTV-së ia kanë konfirmuar edhe anëtarët e jurisë, Kushtrim Koliqi dhe Trimor Dhomi.
“Jo. Fatkeqësisht pagesa e jurisë për përzgjedhjen e katër aktorëve për Ansambël të Teatrit Kombëtar nuk është kryer. Përkundër faktit që ne si juri e kemi kryer obligimin tonë më shumë përgjegjësi, para shumë kohësh, ende pagesa për kontributin tonë nuk është kryer. Është e dhimbshme që pas tërë atij angazhimi, kjo punë të njolloset për çështje të tilla të aspektit financiar. Ne nuk e dimë se ku është problemi dhe pse nuk janë kryer obligimet e MKRS ndaj jurisë profesionale, por e dimë që kjo punë u zgjat shumë dhe se nuk po i shihet fundi. Kjo sjellje ndaj artistëve dhe profesionistëve të ndryshëm të fushës është denigruese dhe dekurajuese” është shprehur përmes një letre elektronike regjisori Kushtrim Koliqi.
Ndërkaq, kompozitori Dhomi, përmes telefonit tha se nuk e ka idenë se pse pagesat nuk janë kryer.
Drejtori Agim Sopi, pranon se kërkesa në MKRS është dorëzuar menjëherë pas përfundimit të procesit. Në anën tjetër, në Ministrinë e Kulturës nuk kanë dhënë një përgjigje se kur do të përfundojnë obligimet që u takojnë, duke i bartur përgjegjësit nga njëri zyrtar te tjetri.
Komisioni dhe dy anëtarët e Këshillit Drejtues kanë punuar në datat 15, 16 dhe 18 gusht.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...