19 Nëntor 2016 - 14:54
Hsu është bashkëthemelues dhe drejtor i Qendrës për Art Bashkëkohor në Taipei, kryeredaktor i “ArtCo Magazine” për edicionin e Kinës dhe ligjërues në Akademinë e Artit në Tajvan. Sipas të dhënave për punën e tij, Hsu ka qenë kurator i “Taipei Biennial” së bashku me Jerome Sans, kurator i “Liverpool Biennial” në vitin 2006 së bashku me Gerardo Mosqueran dhe i disa ekspozitave të tjera të karakterit ndërkombëtar. Ai ka qenë edhe anëtar jurie në Bienalen e Venecias dhe në atë të Stambollit në vitin 2001. Në CV-në e tij shkruhet se fokusi kryesor i punës së Hsu është mbi politikat e lëvizshmërisë, kufijtë e formave të ndryshme, kushtet urbane në epokën e globalizimit, rrjedhën e kapitalit, dhe arti i ndërlidhur me aktivizmin.
“Hulumtimet e fundit të tij përfshijnë praktikat ndërdisiplinare të artit, që lidhen me çështjet e mjedisit, ndërveprime të shumëllojshme në skenarë urbanë dhe ruralë, me një interes të veçantë në shikimin e Anthropocene nga perspektiva e filozofisë kineze daoiste”, shkruhet në CV-në e Hsu. Sipas organizatorëve të “Autostrada Biennale”, kuratori është i hapur për t’u përballur me kontekstin intrigues të Kosovës, në kërkim për të eksploruar Kosovën nga aspektet politike, sociale dhe kulturore. “Meqenëse vjen nga Tajvani, një vend po ashtu në proces të njohjes nga komuniteti ndërkombëtar, ai duket të jetë personi i duhur për t’iu qasur Kosovës nga një perspektivë unike historike dhe kulturore”, shkruhet në komunikatën e “Autostrada Bienale”.
Sipas Leutrim Fishekqiut, që është njëri prej themeluesve të “Autostrada Biennale”, kuratori në dhjetor të këtij viti për dhjetë ditë do të jetë në rezidencë në Kosovë ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve kulturore e artistë të artit bashkëkohor.
“Po ashtu do të punojë së bashku me ekipin tonë për programin e hulumtimit të hapësirave alternative për art bashkëkohor, punë e cila është shumë e rëndësishme në këtë fazë të përgatitjeve”, ka thënë Fishekqiu. Sipas tij, kuratori së bashku me ekipin e “Autostrada Biennale” do të përpilojë programin e edicionit të parë që do të mbahet gusht dhe shtator të vitit të ardhshëm.
“Puna e parë është që ai të vijë në Kosovë për t’u familjarizuar më tej me Bienalen dhe Kosovën”, ka thënë Fishekqiu.
Konferenca dyditore “E kaluara bashkëkohore. E ardhmja historike” e mbajtur në korrik të këtij viti në Prizren ka qenë njëri ndër veprimet për themelimin e “Autostrada Biennale”. Sipas përshkrimit të organizatorëve “Autostrada Bienale” është një magjistrale inovative ndërmjet Bienales së Stambollit, Bienales së Venecias dhe asaj të Prizrenit. “Hapësirat e saj do të jenë gjithandej në rrugica dhe përgjatë lumit Lumëbardhë në Prizren, Kosovë. E inspiruar nga bota e stome në ndryshim, ‘Autostrada Biennale’ ka ndërmarrë hapa për të përfituar nga praktika dhe shkëmbimet kulturore në rritje për t’i zgjeruar ato më tej”, shkruhet në konceptin mbi të cilin Fishekqiu, Barıs Karamuço, Vatra Abrashi e Fitore Isufi-Koja kanë themeluar “Autostrada Bienale”. E në shtator të këtij viti anëtarë të Këshillit Drejtues të “Autostrada…” janë emëruar Iara Boubnova, Sezgin Boynik, Juan Gaitan, Miran Mohar, Edi Muka, Yehuda Safran dhe Sislej Xhafa.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...