16 Nëntor 2016 - 13:33
Vepra “Mesha në C-dur”e kompozitorit të madh Ludvig Van Beethoven, siç shkruan KultPlus, ishte përzgjedhur për të shënuar premierën e radhës nga Filarmonia e Kosovës, vepër kjo e cila konsiderohet si një ndër kryeveprat e Beethoven, me një kohëzgjatje prej një ore.
E dëshira për të dëgjuar diçka të re dhe të bukur, u vërejt në numrin e madh të publikut të cilët mbushën sallën e Katedrales, ku ishin vendosur 800 ulëse, por të cilat dolën të jenë të pamjaftueshme.
Pasi të gjithë zunë vend, Kori dhe Orkestra e Filarmonisë së Kosovës dolën në skenë të shoqëruar me duartrokitje, e menjëherë pas tyre në skenë u ngjitën edhe katër solistët. Elbenita Kajtazi-soprano, Flaka Goranci-mezzosoprano, Liridon Sadriu-tenor dhe Noel Bouley-bas-bariton ishte përbërja e solistëve të cilët së bashku më korin dhe orkestrën e nën dirigjimin e dirigjentit Rafet Rudi, do të jetësonin këtë vepër. Zërat e fuqishëm dhe drithërues të artistëve filluan të jehonin në Katedralen “Nënë Tereza”, në kryeqytet.
Solistja Elbenita Kajtazi e cila karrierën e saj po e ndërton në Berlin, u shpreh tejet e revoltuar për kushtet në të cilat ju desh të interpretonte.
“Është një eksperiencë shumë e mirë dhe një ndjenjë e veçantë kur performoj para publikut shqiptar. Por unë e kam një ankesë jashtëzakonisht të madhe për kushtet në të cilat ne kemi performuar sonte me një të ftohtë të madh, kur ti e ke frikën çdo moment se mos po e humb zërin për arsye të të ftohtit dhe erës që frynte gjatë tërë kohës”, u shpreh Kajtazi. Ajo tutje tha që muzikantët dhe të gjithë njerëzit e kulturës duhet më në fund të ngrihen në këmbë dhe të flasin në lidhje me këtë punë.
“Këtu ka talent dhe bëhet punë shumë e madhe, për këtë koncert kemi punuar tre muaj dhe kur del në skenë nuk mund të këndosh si duhet për arsye të ftohtit, këtë po e potencoj me të mëdha. Përndryshe, eksperiencë shumë e mirë, muzika e Beethoven është shumë e bukur dhe kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me të gjithë”, përfundoi Kajtazi.
Ndërkaq mezzosopranoja Flaka Goranci, e cila poashtu punon jashtë vendit, përkatësisht në Vjenë të Austrisë, tha se është shumë e lumtur të rikthehet në Kosovë.
Krejt për fund, foli edhe dirigjenti Rafet Rudi. Ai këtë koncert e quajti si një ngjarje artistike të rëndësishme për ambientin kulturor në vend.
“Jam shumë i kënaqur, ishte një mbrëmje e shkëlqyer, angazhimi ishte shumë i madh në mes të korit dhe solistëve të mrekullueshëm, ky është nivel i lartë i solistëve. Ishte një mbrëmje që unë do ta mbaj mend gjatë. Një numër kaq i madh i publikut është një frymëzim shumë i madh për interpret”, u shpreh dirigjenti Rafet Rudi.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...