Rregullimi i jashtëm i Muzeut të Alfabetit në Manastir nis më 2017

15 Nëntor 2016 - 16:11      

Shkup, 15 nëntor – Nga dita e diel, 13 nëntor, me një koncert të organizuar nga SHKA “Kongresi i Manastirit” filloi axhenda e shënimit të manifestimit “Manastiri feston”, kushtuar 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, ndërsa manifestimi kryesor do të jetë më 22 nëntor me hapjen solemne të Dhomës Përkujtimore të Komisionit të Alfabetit dhe figurave prej silikoni të anëtarëve të Komisionit të Kongresit të Manastirit.

Siç theksoi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë, Behixhudin Shehapi, qëllimi është që në mënyrë sa më madhështore të shënohet kjo ngjarje e rëndësishme e historisë dhe kulturës së popullit shqiptar.

“Projekti i Dhomës Përkujtimore të Komisionit të Alfabetit dhe figurat prej silikoni të tyre në të është një projekt i paraparë me Programin e Qeverisë së Maqedonisë për periudhën 2014-2018 dhe është realizuar nga Ministria e Kulturës. Vlera e përgjithshme e projektit, përfundimi i të cilit i ka dhënë pamjen e duhur kësaj dhome, ka arritur shumën e 7.9 milionë denarëve”, theksoi Shehapi.

Shehapi, siç transmeton AA, njoftoi se në hapjen e Dhomës Përkujtimore të Komisionit të Alfabetit në Muzeun e Alfabetit Shqip, i cili ndodhet në Manastir, do të marrë pjesë zv/kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe përfaqësues të institucioneve të vendit dhe përfaqësues të lartë nga Shqipëria.

Për shqiptarët e Maqedonisë kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa me vendim të Qeverisë së Maqedoni që nga viti 2008 është themeluar “Muzeu i Alfabetit Shqip” në vendin ku u tubuan dijetarët shqiptarë në Manastir. Mirëpo, ky muze vazhdimisht është përballur me probleme mbi rinovimin dhe pronësinë e të njëjtës.

“Sa i përket rregullimit të eksterierit të kësaj godine që ka rëndësi të pakontestueshme për historinë dhe kulturën e shqiptarëve, tanimë është miratuar projekti, i cili do të realizohet me ndihmën e fondeve IPA të Bashkimit Evropian. Nëse nuk paraqitet ndonjë problem i paparashikuar, realizimi i projektit për rregullimin e jashtëm të godinës së Muzeut të Alfabetit do të duhet të nisë në fillim të vitit 2017”, deklaroi Shehapi.

Ai shtoi se çështja e pronësisë është rregulluar, por kontestuese janë dy dyqanet që ndodhen në hapësirat e muzeut, për të cilat siç tha ai, për një kohë shumë të shkurtër do të rregullohet edhe çështja e dyqaneve.

Manifestimi “Manastiri feston” do të mbyllet me gala koncertin që do të mbahet në Qendrën e Kulturës në Manastir. Koncerti i përgatitur nga Orkestra e Filarmonisë së Universitetit të Arteve të Shqipërisë “Ibrahim Madhi”, do të dirigjohet nga Olsi Qinani dhe me interpretim solistik të violinistit shqiptar me famë botërore, anëtarit të Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli. Mysafir special në këtë mbrëmje do të jetë njëri nga aktorët e gjithanshëm dhe më të adhuruar nga dashamirët e këtij arti suprem, Çun Lajçi.

Ndryshe, Dita e Alfabetit Shqip apo “Kongresi i Manastirit” shënon mbledhjen e dhjetëra dijetarëve shqiptarë më 14-22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me synimin e përcaktimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë kongres delegatë të ardhur nga anët e Shqipërisë, si dhe nga shoqata dhe klube shqiptare nga mbarë bota, miratuan vendimin e pranimit të alfabetit latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar në 36 shkronja të gjuhës shqipe.

Për popullin shqiptar “Kongresi i Manastirit” ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit XX, ku me rezultatet e tij më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore për popullin shqiptar si “Dita e Alfabetit”.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...