Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare

10 Nëntor 2016 - 10:20      

Muzeu “Musine Kokalari” në Gjirokastër do të mbledh më 12 nëntor në një aktivitet studiues të shumtë nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Belgjika me synim njohjen dhe vlerësimin e veprës së Musine Kokalarit, bën të ditur ATSH.

Aktiviteti “Musine, Muza ime”, organizohet me mbështetjen e Bashkisë Gjirokastër dhe Fondacionit Friedrich Ebert për gjurmëlënien e saj në shoqërinë shqiptare si shkrimtarja e parë shqiptare.

Studiuese, opozitare e bindur dhe e palëkundur e regjimit komunist, Kokalari ishte përhapëse dhe mbrojtëse e ideve pluraliste në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, mbrojtëse e mendimit të lirë.

Jeta dhe vepra

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë. Në vitin 1921 familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë.

Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nana plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”.

Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth Vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie.

Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

”Musine, muza ime” aktiviteti do të zhvillohet më datën , 12 nëntor 2016, në Qendrën Kulturore (ish kinemaja e qytetit) në Gjirokastër.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...