Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës u hap ekspozita personale e Mustafa Arapit

4 Nëntor 2016 - 12:15      

Prishtinë, 4 nëntor - Shumë qytete mesdhetare janë bërë bashkë në pikturë. Ato i ka bashkuar edhe Prishtina. Qendra shqiptare, italiane e turke që janë në breg të detit gjenden përballë njëra-tjetrës në ekspozitën “Rrugëtim në imazhin mesdhetar” të Mustafa Arapit, e cila është hapur të enjten mbrëma në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

Gjirokastra vjen e hirtë. Tamam në ngjyrën që ofron qyteti i gurtë i Shqipërisë së Jugut. E për dallim prej saj, autori ka kombinuar shumë ngjyra derisa i ka dhënë një pamje në pëlhurë Beratit. Ai që njihet ndryshe si qyteti i një mijë dritareve vjen si mozaik që reflekton edhe në qiellin e tablosë së piktorit, grafistit e restauratorit Arapi. Ka qenë më detajist tek Ohri e Cassano i Italisë, përderisa kësisoj ka paraqitur edhe Korçën e Durrësin. Porti i qytetit bregdetar paraqitet goxha kompleks, përderisa Kruja vjen më e padeshifruar. Krejt bashkë 31 peizazhe e dhjetë vizatime i kanë sjellë Prishtinës “aromë” mesdhetare ku disa prej qyteteve duken si të skicuara e të tjerat ashtu si i ka parë autori me syrin prej artisti.

Kuratorja Suzana Varvarica-Kuka ka thënë se ekspozita që prezantohet dhe kurimi që ka marrë përsipër të bëjë për artistin e mirënjohur nga Shqipëria, Mustafa Arapi, ka tri cilësi kryesore. “E para është figurativiteti për të cilin shumë veta po themi në brezin e ri e vënë në pikëpyetje, por shumë të tjerë, jo të brezit të ri, e adhurojnë pra e dashurojnë dhe mezi e presin për ta parë”, ka thënë ajo. Sipas kuratores, koncepti i Arapit sjell dy subjekte shumë të rëndësishme si atë rural edhe atë urban dhe i bën ato së bashku. “Cilësia e dytë e kurimit në këtë ekspozitë është drita që është shumë e rëndësishme, e cila na vjen qysh nga koha impresioniste dhe mbetet akoma e gjallë e dashuruar për ta pasqyruar”, ka thënë Varvarica-Kuka. Sipas saj, cilësia e tretë janë aftësitë e shumta që ka Arapi, për të qenë një nga piktorët më të mirë.

Peizazhet e Arapit i kanë dhënë dritë tjetër Galerisë së Ministrisë së Kulturës, e vetë autori nëpërmjet tyre ka bërë që arti shqiptar të ndriçojë më fort (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...