4 Nëntor 2016 - 09:30
Ndër gjashtë filmat që do të paraqiten është edhe filmi “Gjumë dhe dashuri”, me skenar të Arsim Halitit dhe Arian Krasniqit, regji të Arsim Halitit ndërsa producent ka Valon Bujupin. Ky film fazën e parë të xhirimeve e hapi me 1 tetor ndërsa xhirimet përfunduan me 17 tetor.
Në një rrëfim për KultPlus, regjisori Arsim Haliti dha detaje në lidhje me projektin e tij i cili është subvencionuar në vitin 2015-të nga Qendra Kinematografike e Kosovës, në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë debutant.
“Për mua është një sfidë e re përpos asaj që i kam kryer xhirimet, përpos që filmin është dashur ta përfundoj për një periudhë shumë të shkurtër, brenda 15 ditëve, e tash është sfida tjetër që për një periudhë të shkurtër kohore unë duhet ta dorëzoj në QKK, që diku me 16 nëntor të udhëtojë për në Slloveni ku bëhet seleksionimi për Berlinale”, pohoi fillimisht për sfidat regjisori Haliti, i cili tregoi se para selektorëve do ta dërgojë vetëm një draft nga ky film.
“Besoj që jam në korniza të kohës, pasi që me kontratë e kemi brenda një viti ta përfundojmë projektin. Nuk ka pasur asnjë problem që se kam nisë më herët, vetëm se e kam menduar që këtë film ta xhirojmë gjatë vjeshtës, ku vjeshtën e kaluar atëherë kur u subvencionua filmi nuk kam pas kohë assesi, ndërsa këtë vjeshtë e përfundova përgjatë këtyre ditëve dhe besoj që do të dalë diçka e mirë”, theksoi Haliti, duke treguar se më së shumti kohë i ka marrë skenari, ku bashkë me Arian Krasniqin kanë punuar rreth një viti në të.
Buxheti i këtij filmi ka qenë vetëm 35 mijë euro, andaj regjisorit i është dashtë që të punojë shumë në skenar, që kur të xhirohen skenat mos të hidhet poshtë asnjë.
“Tashmë është çështje relative se a do të pëlqehet apo jo. Mendoj që ai skenar që ka qenë edhe ka arritur të realizohet, është çështje e jurisë se a do të shkojë a jo. Unë jam i kënaqur me çdo gjë që kemi bërë deri tani. Duke e shikuar me projektet tjera, filmi im është me buxhetin më të ulët por gara është garë dhe nganjëherë filmi nuk shikohet nga vlera monetare por nga rëndësia e tij si film”, pohoi Haliti.
“Gjumë dhe dashuri”, është një film që flet për Astritin, i cili bën çka është e mundur për të shëruar vajzën e tij, Zanën, e cila prej muajsh ka rënë në koma si pasojë e një aksidenti. Në momentin kur Astriti vendos ta shesë edhe shtëpinë për ta dërguar vajzën e tij jashtë vendit, mjekët zbulojnë se Zana është shtatzënë. Ky lajm e trondit Astritin. Ai bie në konflikt me gruan e tij, në përpjekje për të zbuluar se me kë ka mbetur shtatzënë Zana. Astriti vihet në kërkim të babait të fëmijës së palindur e që vazhdon të rritet në barkun e vajzës e cila është në koma.
Tashmë hapi tjetër sa i përket filmit “Gjumë dhe dashuri”, sipas regjisorit është që të gjejnë një koproduksion që të kryej pjesën e post-produksionit, përndryshe tjerat veç kanë përfunduar.
Filmi ka gjithsej 13 personazhe, ku në rolet kryesore paraqiten aktorët Besim Ajeti dhe Anisa Ismaili, ndërsa në rolet e tjera janë: Selami Taraku, Hysen Binaku, Verona Hoxha, Besfort Berberi, Alban Goranci, Luljeta Bajraktari, Bislim Muçaj.
Ky film është xhiruar në Prishtinë, Obiliq, në spitalin e Pejës dhe Ferizaj.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...