Fotografja kosovare ia shpalos botës fatin e refugjatëve

2 Nëntor 2016 - 14:02      

New York, 2 nëntor - Organizata Ndërkombëtare për Emigrim vlerëson se më shumë se 1 milion emigrantë kanë arritur në Evropë gjatë vitit 2015.

Vazhdimi i krizës së refugjatëve po takohet me armiqësi në vend të dhembshurisë. Gjurmët na kujtojnë udhëtimet e gjata dhe të rrezikshme të atyre që morën rrugë me shpresën për një jetë të re.

“Qëllimi i një artisti duket të jetë zhvillimi estetik dhe në një kuptim universal të kontribuojë në mënyrë të vet për kulturën”, ka thënë piktori Norman Lewis, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndoshta këngëtarja Nina Simone po e parafrazonte atë kur kishte thënë: “Është detyra e artistit të reflektojë mbi kohën”.

Emigrantët dhe refugjatët po vdesin në brigjet dhe kufijtë evropianë, duke u munduar që t’u iknin horroreve të luftës. Fatkeqësisht disa fajësojnë entuziazmin nacionalist dhe ekonominë dhe probleme të tjera që lidhen me krizën e refugjatëve.

Por Jeta B. (siç prezantohet Jeta Bejtullahu nga Kosova v.j.), e cila jeton në Bringhton të Anglisë, në këtë drejtim ka nisur fushatën, me serinë e fotografive të titulluar “Be in their shoes”, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e Huffington Post. Ish-stratege për marrëdhënie me publikun mbi politikat evropiane, e kthyer në rrëfimtare e fotografe, Jeta shkoi nga Bringhtoni në New York City për të ndjekur pasionin e saj të fotografisë. Aftësitë në marrëdhëniet me publikun kompletuan fotografitë e saj për të rrëfyer një histori në mënyrë të shpejtë.

Prej ekspozitave ku shpalos rrëfimin për uraganin “Sandy” deri tek ato për rininë urbane me shikim në të ardhmen të përthekuar në “One Eye”, ajo në fotografitë e saj sjell njerëzoren, brishtësinë dhe fuqinë. Kur u kthye në Bringhton, shfrytëzoi talentin për të vënë në pah krizat me refugjatë.

Nisi kampanjën “Be in their shoes” për të shpërndarë këpucë si donacione në Brighton dhe më pas për të zhvilluar kampanjë të fotografisë në mbështetje të kauzës që të miturit pa përkujdesje në portin e Calais në veri të Francës të sillen në Britani të Madhe. Është po ashtu edhe kampanjë për mbledhje fondesh për projektin “Hummingbird” ku Jeta është vullnetare. Jeta ka një aftësi që të kapë shpirtin e subjekteve të saj. Ndoshta kjo është arsyeja përse ekspozita e saj e fundit me fotografi “Be in their shoes” është aq prekëse.

Jeta, bashkë me disa artistë të tjerë britanikë, u bashkua për projektin “Hummingbird”, për të sjellë një imazh për kushtet dhe jetën e refugjatëve në veri të Francës. Ftesa e Jetës me ekspozitën e saj, që të gjithë të futen një herë në këpucët e refugjatëve, është prekëse, sepse vetë kishte përjetuar një gjë të tillë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku bashkë me familjen dhe miqtë ishin strehuar nëpër kampe refugjatësh. Të mitur, fëmijë dhe adoleshentë, të cilët ose kanë humbur prindërit, ose kanë udhëtuar vetëm nga shtetet e shkatërruara nga lufta po bashkohen me të afërm në Britani të Madhe pasi që kaluan muaj në Calais “Jungle”. Jeta në “Jungle” ishte e rrezikshme për të miturit pa përkujdesje. Është thënë se këta të mitur kanë qenë të predispozuar ose detyruar që të bëhen pjesë e krimeve ose prostitucionit për nevoja bazike si ushqimi, kulmi mbi kokë...

Fotografitë e Jetës në projektin “Only Footprints” (Vetëm gjurmët) janë shenjë e humanitetit, duke vrojtuar mbi këpucët e mbetura prapa në baltë, me shpresë se ai që i ka mbathur ka shpëtuar dhe është i sigurt. Kur dikush ecën në këpucët e tjetrit, është e vështirë të jetë indiferent. Fotografitë e Jetës tani po transformohen nga muralistja Sinna One në grafite nëpër Brighton për të sfiduar mendimin kundër refugjatëve dhe për të treguar se Britania e Madhe i mirëpret të miturit nga Calais.

“Me ‘Be in their shoes’ dua të bashkoj mbështetjen dhe zërat e evropianëve që nuk përfaqësojnë mendimet kundër refugjatëve dhe ta kanalizojmë atë mbështetje në mbledhjen e fondeve për të ndihmuar vullnetarët që punojnë në kampe refugjatësh”, ka thënë Jeta B. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...