19 Tetor 2016 - 13:33
Në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës, kampi tërhoqi vëmendjen e 25 profesionistëve të rinj nga Ballkani Perëndimor që u trajnuan nga ekspertë ndërkombëtarë për temën “Konservimi dhe interpretimi i objekteve muzeale”.
Pjesëmarrësit në këtë kamp restaurimi patën fatin të ndiqnin ligjërata mbi: konservimin dhe rijetëzimin e objekteve muzeale si dhe teori dhe ushtrime të interpretimit të trashëgimisë. Ndërsa puna tyre praktike u përqendrua në objektet muzeale të gurit, qeramikës, metalit dhe tekstilit.
Mirian Bllaci, koordinator i Kampit të 32-të Rajonal të Prishtinës, u shpreh i kënaqur nga bashkëpunimi me Muzeun e Kosovës dhe vuri në pah kontributin që CHwB Shqipëri mund të japë për të siguruar standarde të larta për zhvillimin e dijeve të nevojshme për ruajtjen e saktë dhe të qëndrueshme të trashëgimsë kulturore.
Ai nënvizoi që objektivat e Kampeve Rajonale të Restaurimit, që janë përdorimi i trashëgimisë kulturore për të ndërtuar marrëdhënie mes profesionistëve të rinj, krijimi i kushteve për paqtim si një parakusht për demokraci, si dhe ruajtja e zejeve dhe teknikave tradicionale, u përmbushën më së miri në Kampin e 32-të të Restaurimit.
“Ishte hera e parë që Kampi Rajonal i Restaurimit vinte në Prishtinë. Kishim një sintoni totale me Muzeun e Kosovës, patëm vizitorë të shumtë dhe mbështetjen e medias. Përveç punëve restauruese zhvilluam aktivitet edhe më fëmijët, përmes një atelieje të trashëgimisë ku u punua me veshjen e xhubletës. Për t’u përmendur ishte edhe ekspozita “Pa Dritë” që u çel në Muzeun e Kosovës më datë 18 tetor, e cila u instalua me ndihmën e pjesëmarrësve të Kampit Rajonal. Pjesëmarrësit nga shtatë vende të Rajonit, përfshi Serbinë, erdhën ndoshta me paragjykime në Prishtinë, por u ndanë me përshtypjet më të mira”, u shpreh Bllaci.
Ndërsa drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, e vuri theksin në nevojën për të nxitur bashkëpunime të këtilla rajonale në fushën e trashëgimisë dhe muzeologjisë. “Ne kemi nevojë për të përmirësuar lëvizshmërinë e ekspozitave, ekspertëve dhe audiencave. Sa i përket lëvizshmërisë të ekspertëve, Kampet Rajonale të Restaurimit po japin tashmë kontributin e tyre”, theksoi ndër të tjera ai.
Për Alexandra Cantrill-Lankaster, restauratore me një eksperiencë të madhe në muzetë e Britanisë së Madhe, kampi u mundësoi pjesëmarrësve dijet më të fundit në fushën e restaurimit të objekteve dhe interpretimit. “Të qenit në një vend të ri si Prishtina, në Muzeun e Kosovës, ishte fantastike sepse patëm hapësirat dhe objektet e nevojshme për të punuar. Kampi na mundësoi për të bërë ndryshime jo vetëm në muzeun që na bujti, por edhe institucionet prej nga vinin pjesëmarrësit. Ne u ofruam këshilla të thjeshta dhe praktike që mund t’i përdorin me materiale të gatshme”, u shpreh ajo.
Kampi i 32-të Rajonal i Restaurimit u organizua në partneritet me Muzeun e Kosovës dhe CHwB Kosova, si dhe u mbështetet financiarisht nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...