Pullë postare në nder të 85-vjetorit të Agollit

13 Tetor 2016 - 15:14      

Tiranë, 13 tetor - Me rastin e 85 vjetorit të lindjes, Posta Shqiptare ka vendosur t’i dedikojë pullën postare shkrimtarit dhe akademikut të shquar Dritëro Agolli.

Pulla postare është realizuar nga autori Petraq Papa, dhe ka një vlerë prej 120 lekësh. Tirazhi i kësaj pulle postare është 34.250 pulla si dhe 250 copë FDC ( Zarfi i ditës së parë).

Emisioni i kësaj pullë përbëhet nga një seri me një pamje të shkrimtarit.

Posta Shqiptare ka ekskluzivitetin e emetimit dhe prodhimit të pullës postare shqiptare, nëpërmjet të cilës pasqyron ngjarje të rëndësishme historike, kulturore, sportive, shqiptare apo ndërkombëtare.

Dritëro Agolli, shkrimtar, publicist, veprimtar shoqëror, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, lindi në Menkulas të Devollit. Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmen në shkollën “Asim Zeneli” (Gjirokastër), ku bëri dhe sprovat e para letrare. Në v. 1952–1957 ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit të Leningradit. Në v. 1957–1972 punoi si redaktor e gazetar në të përditshmen “Zëri i popullit”. Në v. 1973–1992 ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. D.A. është një nga figurat qendrore të poezisë shqipe dhe një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të “brezit të viteve 1960”.

Ai është prurësi i poezisë së “unit” të fortë, që u duk qysh në vëllimin e tij të parë “Në rrugë dola” (1958), por u shpreh më qartë në poemat “Devoll-Devoll” dhe “Poemë për babanë dhe për veten”. Rruga e rritjes së tij të shkallëshkallshme poetike shprehet në librat: “Hapat e mija në asfalt” (1961), “Shtigje malesh dhe trotuare” (1965), “Devoll-Devoll” (1964), “Mesditë” (1968), “Baballarët” (1969), “Nënë Shqipëri” (1974), “Fjala gdhend gurin” (1977), “Udhëtoj i menduar” (1985), “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypësi i kohës” (1995), “Fletorkat e mesnatës” (1999).

Vepra më e rëndësishme idealizuese dhe njëherësh më e angazhuar e tij është poema “Nënë Shqipëri”. Vëllimi me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme” (1964) u prit keq nga kritika zyrtare dhe u hoq nga qarkullimi (1965). Këto tregime, një pjesë e të cilave u ribotuan në fund të v. 1980 në librin “Njerëz të krisur”, janë të mbushura me personazhe jotipike. Romani “Komisari Memo” (1970) është vepra më e angazhuar e D.A. në prozë, ku ai poetizoi “kohën e komisarëve”. Në romanin “Njeriu me top” (1975) D.A. zbuloi një marrëdhënie tjetër sa i takon raportit të njeriut shqiptar me armën. Romani “Trëndafil në gotë” (1980) u nënçmua nga mendimi letrar si “libër rozë”. Kontributi më i rëndësishëm letrar në prozë i D.A. konsiderohet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”(1973). Në thelbin e kësaj vepre, si dhe te romani “Arka e djallit”, qëndron antiskematizmi. “Arka e djallit” është një vepër e shkruar me shkujdesje ndaj disiplinës. Ajo është dëshmi e faktit se personalitetet e fuqishme të letërsisë shqipe kanë qenë më të lirë se metoda e tyre krijuese. Dramat “Mosha e bardhë” dhe “Fytyra e dytë” u qortuan për “kundërvajtje ideologjike”. Ndërsa romani “Dështaku” u pasua nga heshtja.

Një pjesë e madhe e veprave të tij janë botuar në shumë gjuhë të huaja. Ka qenë deputet në Kuvendin Popullor dhe në Kuvendin e Shqipërisë për disa legjislatura (1974–2005). D.A. ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë dhe është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...