“Tregtari i Venedikut”, kthesë në TKK [video]

11 Tetor 2016 - 09:33      

Me “Tregtarin e Venedikut” të autorit të famshëm William Shakespeare, do të nisë sezoni i ri në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Me regji të Matthew Lenton, 15 aktorët e zgjedhur për këtë projekt janë duke punuar intensivisht, për të sjellë para publikut një produkt më ndryshe nga ajo që kemi parë deri më tani në TKK, veçanërisht vitet e fundit, bën të ditur emisioni “Express” i KTV-së.

Ndonëse Shakespeare ka vdekur 400 vjet më parë, për regjisorin anglez duket sikur ai është duke shkruar akoma, por për ditët e sotme.

E tillë është edhe mënyra e inskenimit të “Tregtarit të Venedikut” nga Lenton në TKK, e cila sipas tij, flet drejtpërdrejt për Evropën, në të cilën ne jetojmë sot.

“E kam parë një fotografi në një gazetë të një gruaje myslimane në plazh, e cila ishte detyruar nga katër policë në uniformë të zhvishte rrobat e saj. Është një imazh që kap paragjykimin tinëzar, i cili është duke u zvarritur në kulturën perëndimore. Por, çfarë ka bërë Antoni që ta meritonte atë kërcënim? Cili është roli i tij në krijimin e atij kërcënimi? Kjo është një pyetje, për shtrimin e së cilës përgjigje jemi ne, ngaqë aktet e terrorizmit i sulmojnë jetët tona të përditshme në vendet si Belgjika, Franca dhe Gjermania. Po në qoftë se Shiloku do të ishte mysliman? Në të vërtetë, Shiloku është secili i huaj, i cili është përpjekur. Ka vetëm pak nevojë për një shtrirje të imagjinatës për ta kuptuar këtë. Por këtë nuk e bëjnë as syzet e tyre të diellit e as kostumi i larjes. Ai, publiku, nuk është i lig. Ai është njerëzor. Është i përkufizuar, e pakta në imazhin e tij, nga kultura e tij. Por, prapë se prapë, ai është fajtor në përndjekjen e gruas, e cila shtrëngohet të zhveshë rrobat e saj. Mua më duket sikur Shakespeare ka shkruar pikërisht për këtë. Dhe jo vetëm kaq, ai e bën këtë në mënyrë argëtuese”.

Kështu, sipas regjisorit Matthew Lenton, “Tregtari i Venedikut”, në fund të fundit, është një komedi.

Puna e tij me një qasje bashkëkohore është ajo që e bën më ndryshe realizimin e kësaj shfaqjeje, e cila njëkohësisht është sfiduese për pjesën realizuese të saj.

Pjesë e shfaqjes, premiera e së cilës do të jepet më 18 tetor në TKK, janë aktorët të cilët tashmë janë të dëshmuar në skenën e teatrit në Kosovë, por gjithsesi nuk mungojnë as gjeneratat e reja.

Në të luajnë: Kumrie Hoxha, Luan Jaha, Gresa Pallaska, Albulena Kryeziu, Armend Baloku, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Arta Selimi, Maylinda Kosumovic, Labinot Raci, Shpëtim Kastrati, Bujar Ahmeti dhe Semira Latifi.

Sipas drejtorit artistik në TKK, Agon Myftari, ideja fillestare ka qenë prurja e një regjisori me përvojë dhe qasje moderne dhe evropiane të teatrit.

“Ky është një projekt me ambicie të lartë që Teatri Kombëtar i Kosovës, në repertorin e vet, ta ketë një shfaqje që do të mund të ishte e nivelit të teatrove simotra të Evropës ose prej nga vjen regjisori. Sado që mund të kemi probleme teknike dhe infrastrukturore si teatër, unë besoj që kemi artistë, ide dhe mbi të gjitha besim që me një shfaqje të tillë mund ta përfaqësojmë denjësisht TKK-në në skenat teatrore evropiane,” është shprehur Myftari për emisionin “Express” në KTV.

Bashkëpunëtor kreativ i kësaj shfaqjeje është regjisori Kushtrim Koliqi, i cili duke qenë afër këtij realizimi teatror që nga fillimi, u shpreh: “Provat janë duke shkuar shumë mirë, intensiteti është i jashtëzakonshëm. Sistemi i punës dhe dinamika e saj janë jashtë asaj që jemi mësuar ta realizojmë dhe përjetojmë. Deri në këtë fazë jemi të kënaqur dhe shpresojmë për një rezultat të mirë”.

Në anën tjetër, regjisori punën shumë intensive që është duke u bërë në TKK, e përshkroi me vetëm dy fjalë. “Është një aventurë,” u shpreh Matthew Lenton.

Pas premierës “Tregtari i Venedikut”, emisioni “Express Arte” do t’ju sjellë një material të detajuar, nga procesi i punës e deri te realizimi përfundimtar.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...