Foto: Koha

“Kosova për budallenj” ironizon me fatin e hidhur

10 Tetor 2016 - 13:59      

Prishtinë, 10 tetor – Realja me surrealen, duke u gërshetuar me ironinë e komiken, nxjerrin në pah një realitet të hidhur.

Kutia e drunjtë e mbuluar me gjemba shërben si element për të shpalosur problemet e botës së tretë: refugjatët që kërkojnë një jetë më të mirë, por e gjejnë veten të burgosur në një realitet krejt ndryshe.

Këtë fat e ka edhe vajza e re nga Kosova, Antigona, e cila niset në kërkim të një jete më të mirë në Zvicër, shkruan sot “Koha Ditore”. E portretizuar nga Albana Agaj në restorantin e qebapëve “Ali Baba dhe 40 cubat” takon Salalin (Nadim Jarrar), pronar mysliman dhe zotërinë Shcmidt (Gunther Kaindl) një burrë i sinqertë zviceran, i cili dëshiron të shkruajë një libër për Kosovën.

Titulli i librit është “Kosova për budallenj”, edhe pse asnjëherë nuk e ka vizituar vendin. Antigonës i pëlqen Zvicra dhe dëshiron të qëndrojë aty. Në mesin e krejt certifikatave që ka sjellë me vete nga Kosova në Zvicër, i mungon vetëm edhe një: dëshmia se ajo nuk është rinoqeront. Zotëria Hartmann (Robert Baranowski), shërbyesi civil kokëfortë i jep asaj afat prej dhjetë ditësh që ta gjejë certifikatën ose ta lëshojë Zvicrën.

Injoranca e tyre arrin deri në atë pikë kur ata besojnë rrëfimin e Antigonës sesi në Kosovë njëherë kishte rënë shi për 127 ditë dhe nga vërshimet kishte dalë një rinoqeront mbi ujë. Në këtë histori të çuditshme përfshihet edhe një grua e vjetër (Ursula Stäubli) dhe qeni i saj Benjamin. Jeta e qenit të saj është më e vlefshme se e një njeriu. Kur ai humb, zonja kërkon që të protestohet dhe tërë shteti të mobilizohet për gjetjen e kësaj qenieje të pafajshme. Por e njëjta nuk ndodh edhe për vajzën kosovare, megjithëse Antigonës i del në ndihmë Schmidt i cili dashurohet në të. Ai niset në Kosovë dhe mbetet i ngujuar aty pasi që fluturimet kthyese shtyhen deri në pafundësi. Gjen veten në mjegull mes njerëzve që e mirëpresin, vajzave të bukura, ushqimit të shijshëm.

Në kërkim të temës së tij për libër ai kupton sa pak kishte dikur për Kosovën dhe merr përsipër që t’ia sigurojë dokumentin Antigonës në mënyrë që ajo të mbetet në Zvicër. Kur ajo më në fund e arrin qëllimin, e kupton se nuk është ajo që do. Kërkon të hapë krahët dhe të fluturojë drejtë Hënës. Me gjithë absurdin në shfaqje që përcillet me muzikë e herë me performancë, dialogë të çuditshëm e narracion, aktorët arrijnë që të shpalosin historitë e personazheve të cilët janë të ndryshëm e nuk duan që origjina e tyre të dalë në sipërfaqe. Paragjykojnë ata që nuk janë vendas, por në fakt jo të gjithë janë zviceranë.

Shfaqja vjen nga dramaturgu i mirënjohur kosovar Jeton Neziraj nën regji të Johannes Mager dhe është bashkëprodhim me “Forever production”, i cili vitin e kaluar kishte kërkuar nga Neziraj që të shkruante një dramë tillë. Më 10 shtator të vitit të kaluar, “Kosova për budallenj” pati premierën në teatrin “Schlachthaus Bern” dhe më pas ka udhëtuar edhe në teatro të qyteteve të tjera. Të shtunën e pati premierën kosovare.

Regjisori kosovar, Fadil Hysaj, ka vlerësuar realizimin e kësaj shfaqjeje që, sipas tij, është një prej dramave më të mira të Nezirajt në aspektin e leximit regjisorial.

Regjisori Johannes Mager ka thënë se kjo shfaqje trajton shumë mirë dy kultura të ndryshme dhe keqkuptimet e mundshme mes tyre.
“Kosova për budallenj” nga Prishtina do të udhëtojë edhe për në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë, për t’u rikthyer në Teatrin e qytetit të Ferizajt. Turneu rajonal i shfaqjes do të përmbyllet më 15 të këtij muaji në Teatrin e Tetovës... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...