Arbneshët e Zarës i dhanë shumë kulturës shqiptare dhe asaj kroate

10 Tetor 2016 - 14:58      

Në Institutin Albanologjik në kryeqytet sot nisi sesioni shkencor “Arbneshët e Zarës - Historia dhe etnokultura e tyre”.

Ky sesion nisi me një pikë muzikore nga krijimtaria e arbneshit Pavle Deshpalit, që u luajt nga nxënësit e shkollës ‘Prenk Jakova’, duke u lënë hapësirë më pastaj edhe fjalëve hapëse nga drejtori i këtij instituti Hysen Matoshi dhe ambasadorja kroate Marija Kapitanoviq.

Në këto fjalime Arbneshët e Zarës u cilësuan ndër krahët e etnisë shqiptare që mbijetuan në shekuj në një kontekst të ri shoqëror e kulturor. Përveç kësaj u vlerësua lartë edhe bashkëpunimi që këta arbëreshë kanë pasur me popullin kroat, duke thënë se kanë shërbyer si një urë lidhëse ndërmjet popullit shqiptarë dhe atij kroat.

“Ndonëse një komunitet i paktë në numër dhe pothuajse pa asnjë mundësi të kontakteve institucionale me trungun amë, Arbneshët e Zarës do të dëshmonin se rrënjët e tyre kulturore nuk do të tretnin lehtë, se ata do të dinin t’i zhvillonin ato edhe në rrethana të reja. Po përmend në këtë fjalë të hapjes vetëm disa nga kontributet e çmueshme të tyre. Kështu, bie fjala, epi kombëtar “Lahuta e Malcis” nisi botimin e saj në këtë ngulim shqiptar, drama e parë shqipe në ish-Jugosllavi u shkrua nga arbneshi Josip Rela, pastaj ishte Aleksandër Stipçeviqi me ndihmesën e tij emblematike për studimet e gjenezës ilire të shqiptarëve”, tha fillimisht para të pranishmëve që ishin në një numër goxha të madh drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi.

Ai theksoi po ashtu se Arbneshët e Zarës, kanë shërbyer si një urë lidhëse ndërmjet kulturës shqiptare dhe asaj kroate, kanë bërë që këto kombe ta njohin më mirë njëri-tjetrin, veçantitë dhe vlerat e tyre kombëtare. Një gjë të tillë, e tha edhe ambasadorja e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq, e cila theksoi se arbneshët i kanë mbuluar të gjitha sferat e shoqërisë kroate.

“Abneshët e Zarës janë një bashkësi historike, tradicionale, të cilët i karakterizon kontributi i tyre i madh në kulturën kroate, nëpërmjet personaliteteve të mëdha të kulturës, në fusha të ndryshme të saj, prej Deshpalit dhe kontributi i tij në muzikë e deri te kontributi i tyre në politikë”, pohoi ambasadorja Kapitanoviq.

Këtë sesion, pas përfundimit të fjalëve hapëse e begatoi edhe ekspozita e hapur në hollin e Institutit Albanologjik me titull “Me Arbneshët për Arbneshët”, e punuar nga Nuredin Ahmeti dhe Lulzim Lajqi.

Në këtë ekspozitë përfshihen edhe veprat e autorëve shqiptarë që kanë shkruar për arbneshët si Idriz Ajeti, Isak Shema e shumë autorë të tjerë shqiptarë.

“Arbneshët e Zarës”, kanë një veprimtari të dendur shkrimore dhe kanë një numër të madh të veprave ku besoj që nga ana jonë do të jetë një lloj mirënjohje për gjithë ata që e kanë bërë e kështu jemi munduar që ti marrim të gjitha ato vepra ku kemi shëtitur nga biblioteka në bibliotekë duke i tubuar ato që kemi pas mundësi dhe besojmë që pjesa më e madhe e tyre është këtu”, tha për KultPlus Nuredin Ahmeti, bashkëpunëtor shkencor në degën e historisë, i cili po ashtu tregoi se në këtë ekspozitë janë diku rreth 50 vepra, ku pjesa dërrmuese e tyre është e autorit Aleksander Stipçeviq, Josip Relës dhe Deshpalit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur përgjatë dhjetë ditëve në Institutin Albanologjik në Prishtinë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...