Ka nisur në Prishtinë Kampi Rajonal i Restaurimit

10 Tetor 2016 - 11:04      

Tiranë, 10 tetor - Trashëgimia Kulturore pa Kufij - Shqipëri (CHwB Albania) për herë të parë organizon në Prishtinë Kampin Rajonal të Restaurimit, të vlerësuar me çmimin prestigjioz Europa Nostra nga Bashkimi Europian.

25 studentë dhe profesionistë të rinj nga 7 vende të Ballkanit Perëndimor, 8 akademikë dhe restauratorë, si dhe stafi i Muzeut të Kosovës do të bashkohen nga data 8-29 tetor në Prishtinë për t'u trajnuar dhe ushtruar në konservimin dhe interpretimin e objekteve muzeale.

Kampet Rajonale të Restaurimit të Fondacionit “Trashëgimia Kulturore pa Kufij - Shqipëri” (CHwB Albania), të shpërblyer me çmimin prestigjioz Europa Nostra nga Bashkimi Europian, përqafojnë për herë të parë Prishtinën. Në datat 8-19 tetor, 25 profesionistë të rinj dhe 8 akademikë e restauratorë nga Ballkani, Europa dhe Shtetet e Bashkuara mblidhen në kryeqytetin e Kosovës për të studiuar dhe për t’u ushtruar në Kampin e 32-të Rajonal të Restaurimit me temë “Konservimi dhe interpretimi i objekteve muzeale”.

Pjesëmarrësit në këtë kamp restaurimi do të fokusohen në konservimin e objekteve dhe interpretim në Muzeun e Kosovës. Ligjëratat dhe ushtrimet që do të mbahen përgjatë Kampit do të mbulojnë tema si: konservimi dhe rijetëzimi i objekteve muzeale, principet dhe metodat e dokumentimit, si dhe teori dhe ushtrime të interpretimit të trashëgimisë. Pjesëmarrësit do të punojnë nën drejtimin e një ekipi restauratorësh ndërkombëtarë dhe stafit të Muzeut të Kosovës. Objektet e punës variojnë nga ato të gurit, qeramikës, metalit, tekstilit, si dhe objekte të bëra nga materiale të përzier.
Kampi i 32-të Rajonal i Restaurimit organizohet në partneritet me Muzeun e Kosovës dhe CHwB Kosova, si dhe mbështetet financiarisht nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SIDA).

CHwB Albania është një organizatë jo-qeveritare e përkushtuar për shpëtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të prekshme dhe të paprekshme të rrezikuar nga konflikti, neglizhenca njerëzore dhe fatkeqësitë natyrore. Misioni i saj është promovimi i trashëgimisë kulturore si një e drejtë në vetvete dhe një burim. CHwBAlbania punon me shoqërinë civile dhe institucionet e të gjitha niveleve për të forcuar paqtimin, zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik dhe demokracinë, si dhe realizimin e të drejtave të njeriut.
Ballkani është i pasur me vlera kulturore të larmishme. Sidoqoftë, një pjesë e tyre nevojitet të restaurohen dhe menaxhohen përmes materialeve dhe teknikave të duhura, në mënyrë që t’i ruajmë dhe t’ua lëmë trashëgimi brezave të ardhshëm. Objektivat kryesore të Kampeve janë përdorimi i trashëgimisë kulturore si një platformë për ndërtimin e marrëdhënieve mes profesionistëve të rinj, duke krijuar kushte për paqe dhe demokraci, dhe për të ruajtur mjeshtëritë dhe teknikat tradicionale.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...