7 Tetor 2016 - 15:02
Për gati një vit, Sonnentag i ka fotografuar fëmijët refugjatë nga Siria, Afganistani dhe Iraku, shumica e të cilëve janë strehuar në ish-Qendrën Ndërkombëtare të Kongreseve. Rezultat i kësaj janë fotografi që shpalosin histori që ai mendon se po mungojnë në diskursin e përditshëm - ana njerëzore e këtyre fëmijëve, të cilët po jetojnë si refugjatë në Berlin. Një prej tyre është djaloshi 14 vjeçar nga Siria, Moohamed, të cilin Sonnentag e përshkruan si “shumë ‘cool’ për shkollë” dhe “zemërthyes” i cili asnjëherë nuk rri pa i rregulluar flokët.
Tjetër personazh është 12-vjeçarja afgane që quhet Adisa, e cila kur të rritet dëshiron të bëhet astronaute.
“Pata një eksperiencë të ndjeshme, në veçanti me njërin fëmijë që quhej Inaz, një tetëvjeçare nga Iraku”, ka thënë Sonnnentag. “Ajo është e vështirë, fëmijë rebel dhe askush - as prindërit e as vullnetarët - nuk ishin në gjendje ta kontrollonin. Por unë u tregova pak i ashpër me të. Më urreu për këtë duke më thënë tërë kohën që nuk jam i mirë. Por një ditë ndjeva që dikush më përqafonte. Ishte ajo. Marrëdhënia jonë ka ndryshuar për të mirë që nga ajo ditë”, ka shtuar ai.
Ekspozita që shpalos këto fotografi tani është e hapur dhe Sonnentag bashkë me dy kolegët e tij - Penny dhe Saede - po realizojnë një katalog online në Facebook dhe Instagram në mënyrë që fotografitë të shikohen nga një audiencë më e gjerë.
Projekti ka qenë i popullarizuar në mes të fëmijëve dhe prindërve. Adisa e cilëson “They Have Names” si një gjë të mirë. Manaf, babai i një djaloshi katërvjeçar nga Iraku, ka thënë se ata janë njerëz të mirë dhe se duan shtëpi dhe punë për t’u kujdesur për familjet.
“Por askush nuk po na do sepse po mendojnë se tërë arabët janë kriminelë. Ata duhet të shohin të vërtetën”, ka thënë ai.
Christoph Verleih, një banor 31-vjeçar nga Berlini, pasi kishte parë fotografitë e Sonnentag në Facebook ka thënë për DW-në se ato janë “punë e vërtetë arti”.
“Fëmijët aty duken të lumtur, të buzëqeshur dhe jo të mërzitur nga lufta. Është ndryshe nga ajo që kam parë më herët”, ka thënë Verleih. Kjo seri vjen në një kohë të rëndësishme për Gjermaninë. Në zgjedhjet e fundit rajonale, krahu i djathtë kundër emigrimit “Alternative for Germany” (AfD) u fut në asamblenë e qytetit të Berlinit për herë të parë dhe po mëton të popullarizohet dhe të fitojë përkrahës në muajt në vazhdim.
“Për ngritjen e partive siç është AfD mund të fajësohet për mënyrën se si paraqiten refugjatët nëpër media”, ka thënë Sonnentag. “Janë vetëm disa njerëz të këqij që kanë ardhur në vend, por kur media fokusohet vetëm te ata i frikësojnë njerëzit nga të gjithë refugjatët”, ka shtuar ai.
Gjatë kohës së tij në kamp, Sonnentag ka parë se sa e vështirë është jeta për ata që qëndrojnë aty. Refugjatët ndajnë së bashku tualetet dhe pajisjet e tjera. Janë 600 njerëz në dhoma të ndara por që ka shumë pak vend për privatësi.
“Mund të pastrosh sa të duash por me aq shumë njerëz në një vend është e vështirë të mbahet niveli i lartë i higjienës, kështu që gjithmonë ekziston rreziku për ndonjë sëmundje”, ka thënë Sonnentag. Burokracia në Berlin është fajtore përse shumë refugjatë kanë mbetur të ngujuar nëpër kampe për muaj të tërë e disa edhe një vit. Përgjatë kësaj periudhe, derisa shumë aplikacione janë proceduar, është e vështirë që të gjendet dikush që do të marrë në punë ndonjë refugjatë. Kështu që për ta, është bërë një lojë e gjatë e pritjes.
“Këta njerëz po çnjerëzohen çdoherë që kërkojnë ushqim i cili nuk ka vlera ushqyese për fëmijët, ose çdo herë kur duhet të ndajnë pajisjet e tualeteve me qindra njerëz që nuk i njohin”, ka thënë Sonnentag. “Kam takuar shumë prindër që nuk po munden të jetojnë më në këtë formë dhe kanë vendosur të marrin fëmijët e tyre të kthehen në Siri ose në Irak. Shteti ua bën shumë të lehtë kthimin. Është kaq keq, saqë njerëzit më shumë po preferojnë të jetojnë në një zonë lufte sesa këtu”, ka shtuar ai.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...