Sonte premiera e tretë vjetore e Baletit të Kosovës

6 Tetor 2016 - 11:02      

Prishtinë, 6 tetor - Njëra prej shfaqjeve më kërkuese të baletit romantik, e ndarë në dy akte, do të zërë vend në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Baleti Kombëtar i Kosovës nën udhëheqjen e koreografes bullgare, Sylvia Tomova, të enjten (sonte), do të sjellë shfaqjen e njohur “Giselle”. Balerinët Teuta Krasniqi dhe Sinan Kajtazi, në premierë, do të ngjiten në skenë në rolet kryesore, atë të Giselles dhe Albertit. Ndërsa të nesërmen ata do të zëvendësohen nga Leonora Rexhepi, Fisnik e Fatmir Smani. “Giselle”, me koreografi të Jean Coralli e Jules Perrot dhe me liberto të Jules-Henri Vernoy de Saint-Georges dhe Theophile, për herë të parë është performuar në Paris në vitin 1841.

Sjell një histori sa romantike aq edhe të dhimbshme. Flet për Gisellen, një vajzë nga fshati, e cila vdes nga vuajtja kur i thyhet zemra pasi zbulon se i dashuri i saj fejohet me një tjetër. “Willis”, shpirtrat fantazmë të shërbëtoreve të tradhtuara nga më të dashurit e tyre, të cilat nisen në hakmarrje për çdo mashkull që ato hasin, e thërrasin Gisellen nga varri. Ato i bëjnë magji Albertit por dashuria e madhe e Giselles e prish atë dhe i kursen jetën atij. Si e tillë kjo histori do t’i servohet publikut kosovar, duke u karakterizuar edhe me kostumet e veçanta bashkë me skenografinë që ia rrisin hijeshinë.

Për këtë është kujdesur kostumografja bullgare Parvoleta Ivanova-Leticia. “Giselle” është premiera e tretë e këtij viti e Baletit Kombëtar të Kosovës, pas “Netët arabe” me koreografi të Pullumb Agalliut e dhënë premierë në shkurt dhe “Xhuljeta pa Romeon” nën koreografi të Darrel Toulon, e inskenuar në qershor.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, në një konferencë për media, derisa ka falënderuar ekipin nga Bullgaria, ka thënë se për këtë shfaqje është bërë një punë e madhe. Ai ka treguar se ia ka besuar Tomovas realizimin e “Giselles” për shkak të rëndësisë dhe peshës që ka kjo shfaqje.
Kjo është shfaqja e pestë që Tomova realizon me Baletin Kombëtar të Kosovës (më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...