Artisti me nam, Gjelosh Gjokaj, u varros në vendlindjen e tij, Milesh të Tuzit

3 Tetor 2016 - 08:59      

Milesh, Tuz, 3 tetor - Piktura “Kali i Trojës” ka mbetur e papërfunduar. Ndër gjërat me vlerë në atelienë e tij gjenden edhe punime të tjera bashkë me ngjyrat e hapura që ende nuk janë tharë, pasi nuk ka kush t’i hedhë në letër.

E katër “roja nderi”, me kostume tradicionale të Malësisë Madhe kanë nderuar të pranishmit dhe artistin përgjatë homazheve.

Dy vajza nga ana e majtë dhe dy djem nga ana e djathtë nuk i janë ndarë së qëndruari afër arkivolit me trupin e Gjelosh Gjokajt derisa qindra njerëz po ia jepnin lamtumirën e fundit malësorit që vdiq nëntë ditë më parë, shkruan sot “Koha Ditore”. Para fotografisë dhe arkivolit të grafistit e piktorit të shquar Gjelosh Gjokaj të shtunën i janë përkulur qindra njerëz, prej tyre edhe jo pak që kanë kaluar Oqeanin Atlantik vetëm për ta nderuar bashkëvendësin.

Qysh prej orës dhjetë të mëngjesit e deri në orën dy pasdite, pa ndarë, burra kryesisht në veshje serioze e femra në të shumtën e rasteve me shami të zeza ia kanë mësyrë asaj që njihet si Shtëpia e Funeralit në Vuksanlekaj të Hotit, objekt ky i ndërtuar nga malësorët për nevojat e komunitetit. Skulptura e Shën Terezës në mes të oborrit ka qenë orientim për ata që nuk e njohin zonën. I lindur më 1933 në Milesh të Tuzit, Gjokaj gëzon një respekt të madh sidomos në vendlindje. Pothuajse nuk kishte malësor që kur fliste për Gjokajn nuk i mbusheshin sytë me lot. Burrat dhe gratë e familjes Gjokaj kanë përshëndetur për dore secilin që ka bërë homazhe.

Pas homazheve nga të pranishmit - në mesin e të cilëve ka pasur edhe liderë politikë, përfaqësues institucionesh nga Kosova, Mali i Zi, e Shqipëria, artistë e miq të Gjokajt, e ku janë lexuar edhe disa telegrame ngushëllimi - të pranishmëve u është drejtuar Martin Berisha.

Sipas tij, Gjokaj që në vitet 1966 deri më 1968 punoi si profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, e mori nuancën e gurit të malësorit dhe e shpërndau atë në gjithë botën.

“Në ditën e sotme nuk përfundon epoka e Gjelosh Gjokajt. Tash fillon numërimi i asaj çka ishte para Gjeloshit dhe çka do të bëhet pas Gjeloshit. Ishte ai që i vuri themelet e artit pamor në Kosovë”, ka thënë Berisha, profesor i shkencave politike në Universitetin e Lubjanës.

Në emër të familjes Gjokaj të pranishmëve u është drejtuar kushëriri i artistit, Leon Gjokaj. Ka thënë se për familjarët ikja e Gjokajt duket sikur ai të ketë shkuar përkohësisht në ndonjë ekspozitë diku jashtë vendit.

“Janë të rrallë njerëzit sikurse ai që e kanë butësinë, bujarinë, edukimin e lartë akademik, dashurinë për njerëzit, të bukurën, e mbi të gjitha modestinë”, ka thënë Gjokaj. Sipas tij, grafisti, Mileshit, fshatit të lindjes, ia kushtoi jetën. Ai ka thënë se Gjokaj gjatë shtegtimit kreativ shpalosi para Evropës e botës bukurinë e Malësisë së tij dhe lumin Cem. Në opusin e tij dominojnë ngjyra blu dhe e hirta. Shkrepat e Malësisë mbajnë ngjyrën e hirtë e lumi Cem atë blu. Këto ngjyra paraqiten edhe në raste kur artisti nuk ka punuar vepra që paraqisnin peizazhin e vendlindjes. Por nëpërmjet këtyre nuancave secili punim ka pasur Malësinë brenda tij.

“Ambientet e katundit që i kam përjetuar si fëmijë kanë qenë frymëzim kryesor. Ngjyra e çagjës, misrit, mishit të thatë, e ngjyra e hirtë janë të ambientit, ndërsa ngjyra blu është ngjyra që e ka lumi në vendlindjen time”, ka cituar Leon Gjokaj artistin që prej vitit 1969 deri më 1983 kishte jetuar në Itali, për t’u zhvendosur më pas në Gjermani, ku edhe vdiq të dielën e 25 shtatorit. Gjokaj ka thënë se e tërë familja e krijuesit mban merita kombëtare e intelektuale.

Në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtar i jashtëm i së cilës Gjokaj ishte që prej 1996-s, të pranishmëve u është drejtuar anëtari korrespodent i këtij institucioni, skulptori Luan Mulliqi

Katër herë është palosur flamuri kombëtar nga dy të rinj me veshje kombëtare tek varri i Gjokajt në oborrin e shtëpisë së tij në Milesh. Simboli i është dhënë të birit të artistit, Daku Gjokaj. Në shenjë respekti “rojat” dhe i biri i janë përkulur njëri-tjetrit. Kësisoj ka nisur ceremonia e varrimit të Gjokajt, pasi një pjesë e të pranishmëve në homazhe janë zhvendosur tek shtëpia e krijuesit.
Jo larg pragut të shtëpisë i është dhënë lamtumira e fundit. “Kori i burrave” nga Gjakova nën udhëheqjen e akademik Rauf Dhomit ka performuar këngën “Lamtumirë”. Të pranishmëve, sipas adetit të vendit, u është shërbyer raki shtëpie përderisa varrosej artisti. Ceremonia fetare e udhëhequr nga prifti i zonës ka qenë e shkurtër. Vazhdimisht është përsëritur se dëshirë e artistit me nam botëror ishte të varrosej në oborrin e shtëpisë së tij.

Viteve të fundit Gjokaj kishte ndërtuar një shtëpi njëkatëshe në Milesh të Tuzit, fshatin e lindjes... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...