Qenia në kohën e “gabuar”

1 Tetor 2016 - 10:13      

Fusnotë në 40-vjetorin e vdekjes së Martin Heideggerit: Për ata që e përkrahin gjenialitetin e Heideggerit, ai thjesht ka jetuar në kohën “e gabuar”; por epiteti “i gabuar” për kohën nuk ekziston në kuptimin heideggerian: qenia është gjithmonë në kohën e “duhur”, sepse është vetëm brenda kohës, në kohën e vet

Çdo qenie njerëzore lind dhe vdes dhe aty jemi të gjithë njësoj. Ajo që e dallon një njeri nga tjetri është jeta që mbush hapësirën fiktive në mes dy poleve të asgjësë. Nga lindja e deri te vdekja qenia është ajo që i jep kuptim kalimit nga hiçi (para lindjes) në hiç (pas vdekjes), shkruan Hasnije Ilazi, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Askush më mirë se filozofët e jetës dhe ekzistencialistët nuk e kanë kuptuar këtë. Prandaj e kanë kuptuar edhe absurdin si prirje të njeriut ndaj pavdekshmërisë gjatë rrugës së tij drejt vdekjes. Absurdi, në anën tjetër, nuk është vetëm përpjekja e njeriut për përjetësi, por e tillë është edhe mënyra e arritjes së saj, ndonëse “përjetësia” tentohet të arrihet edhe në saje të rrënimit të “tjetrit”, shpesh edhe me bekimin e shoqërisë.

Është vetë absurdi ai që prodhon njeriun, individin që “përjetësohet” duke krijuar dhe guxuar; njëkohësisht absurdi prodhon edhe “dykëmbëshin pa krahë” (Schopenhauer/Kazantzakis) i cili vepron nën manipulimin e masës, pjesë e së cilës është edhe vetë, dhe e cila ia siguron “përjetësinë” përmes dogmave, rojave besnike të shoqërisë.

Njeriu jeton të tashmen në një raport harmonik me veten, është qenia brenda kohës, dhe vetëm si i tillë mund t`i japë kuptim edhe të kaluarës, dhe të ofrojë vizion për të ardhmen; “dykëmbëshi” nuk jeton, ai përpëlitet në jetën e tjetërkujt, është pjesë e ëndrrës së huaj në mungesë të ëndrrave të veta, një imitim i dobët, i dëmshëm, si për vetë imituesin, ashtu edhe për tërë komunitetin human.

Në veprën e tij “Krim dhe ndëshkim” Dostojevski e ndan njerëzimin në dy kategori: “Kategoria e parë është zot i së sotmes, kategoria e dytë është zot i së ardhmes. Të parët ruajnë paqen dhe shumojnë njerëzimin, të dytët shtyjnë përpara botën, e përcjellin atë te qëllimi. Si të parët ashtu edhe të dytët kanë të drejtë të plotë për ekzistencë.” Gjatë plot 150 vjetëve nga botimi i veprës së Dostojevskit (1866), historia e njerëzimit ka demantuar pareshtur jetësimin e koekzistencës së këtyre dy kategorive, duke pasqyruar tentimin e vazhdueshëm për mohim të anasjelltë të tyre. Një mohim i tillë kur ndodh brenda historisë së vetëm një njeriu bëhet vetëmohim. (Më gjerësisht mund të lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...