Përkujtohet pionieri i baletit të Kosovës

28 Shtator 2016 - 12:16      

Prishtinë, 27 shtator - Fotografia bardhezi, me portretin e balerinit, që kur kishte pozuar e kishte vënë gishtin tregues afër kokës – sikur të ishte zhytur në mendime - është vendosur mbi tavolinën me mbulojë të kuqe, shkruan sot Koha Ditore.

Pranë ishte vendosur libri i kujtimeve, një buqetë lule dhe një qiri. Ata që e kishin njohur Rrustem Selcën, njërin prej anëtarëve të gjeneratës së parë të balerinëve të Kosovës, kanë shkruar copëza kujtimesh e fjalë të mira për të. Të martën, Baleti Kombëtar i Kosovës organizoi një tubim me familjarë e pjesëtarë të komunitetit artistik për ta përkujtuar balerinin që vdiq në ditën e shtatë të shtatorit në moshën 64-vjeçare.

Selca, i cili ka vdekur në Gjermani, i takonte gjeneratës së parë të Trupës së Baletit të Kosovës, që u shkollua në Shkup prej vitit 1968 deri më 1972. Ishte solist në Trupën e Baletit të Kosovës, që zhvilloi krijimtarinë në objektin e Teatrit Popullor Krahinor, tash Teatri Kombëtar i Kosovës. Ka marrë pjesë në 38 premiera baleti. Në shumë prej tyre ka pasur rolet kryesore dhe shquhej si solist i zoti.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës u ka shprehur ngushëllime familjarëve të Selcës dhe të gjithë atyre që kanë ndjekur veprimtarinë e performancat e tij.

“Vdekja e Rrustemit na ka rënë befasi të gjithëve. Sot u mblodhëm këtu për ta përkujtuar kolegun tonë të dashur, një nga pionierët e baletit të Kosovës, i cili ka lënë një vulë në trupën e baletit dhe artin në përgjithësi”, ka thënë Brahimaj.
Duke thënë se i ka takuar gjeneratës së Selcës, Brahimaj e ka përshkruar atë si balerin e artist të shkëlqyer.

“Që ka jetuar në një kohë pa kohë, ku talentin e tij nuk kemi mundur ta shfrytëzojmë sa duhet”, ka thënë Brahimaj. Selca si balerin kishte punuar në Prishtinë deri në vitin 1991, atëherë kur shqiptarët dhunshëm u larguan nga puna. Që prej vitit 1992 Selca ka jetuar në Gjermani. Profesionin nuk e kishte braktisur as në mërgim. Gjatë viteve ’90 u mësonte balet fëmijëve shqiptarë në Gjermani. Ishte angazhuar si koreograf e valltar edhe në shoqërinë kulturore-artistike “Vatra” në Zürich të Zvicrës.
Balerini Sinan Kajtazi ka lexuar letrën që vajza e Rrustem Selcës, Xheneta Selca, ia ka dedikuar babait të saj të ndjerë.

“Prej disa çastesh ia kam ngulur sytë kësaj letre të zbrazur pa e ditur se çfarë të shkruaj. Kjo, jo se nuk kam çfarë të them, por sepse kam shumë për të thënë. Një gjë është e sigurt: asgjë nuk mund të jetë e mjaftueshme për të përshkruar dashurinë që kam për ty”, ka shkruar ajo në letrën që u lexua para atyre që u mblodhën në TKK të martën.

Hysen Podrimçaku, balerin i gjeneratës së parë të Trupës së Baletit, e ka kujtuar Selcën me shumë dashuri e admirim.
“Rrustemi ka lënë gjurmë në artin e baletit, dramës, por edhe në film. Ai ka qenë balerin shumë cilësor, ka pasur kualitete të mëdha të balerinit. Ka luajtur në shumë role të para. Ai ka luajtur në rreth 30 premiera dhe kontributi i tij ka vazhduar edhe me të rinjtë shqiptarë në Gjermani, ku edhe ka udhëhequr një trupë”, ka thënë ai. Selca i lindur në Lugun e Baranit, në Komunën e Pejës, është varrosur në Gjermani.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...