Veprat e Gjelosh Gjokajt janë testament për fatin e shqiptarëve

28 Shtator 2016 - 11:45      

Grafikat ku paraqiten malësorë që bartin pemë e gjëra të tjera përshkruajnë Mileshin e Tuzit në Mal të Zi. Bëhet fjalë për kujtimet e rinisë të artistit me nam, Gjelosh Gjokaj, shkruan sot Koha Ditore.

Një pikturë e formatit të madh mban në vete dhjetëra koka të gozhduara. Duket sikur dikush i ka keqtrajtuar ata njerëz. Familja e Gjokajt pas Luftës së Dytë Botërore ishte detyruar të shpërngulej në Vojvodinë. Malësia ku ai u lind është pjesë e pothuajse secilit prej 11 punimeve që të martën janë ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në shenjë homazhi për artistin që vdiq në moshën 83-vjeçare, të dielën, në Gjermani. Puna e tij cilësohet si krijimtari e veçantë, e një niveli të lartë e tejet reprezentativ. Artistët e konsiderojnë si një punëtor të zellshëm, ndër ata që i hapi rrugë artit shqiptar në gjithë botën.

Momentet e bukura e pakënaqësitë në fytyrat e malësorëve, marrin jetë në grafikat e Gjokajt. Galeria Kombëtare e Kosovës ka gjithsej 15 vepra të tij. Të ekspozuara në një sallë të vogël që zakonisht shfrytëzohet për mbajtje konferencash për media, në kornizat e veprave janë parë edhe rrjetat e merimangave. Një ceremoni modeste ka shënuar hapjen e ekspozitës, ku të pranishëm kanë qenë shumë pak pjesëtarë të komunitetit artistik.
Profesori universitar i grafikës, njëherësh mik i Gjokajt, Agim Salihu, ka thënë se e ruan me respekt kujtimin për të dhe për veprat e tij të mëdha, por edhe si atdhetar. Sipas tij, Gjokaj ishte dhe mbetet krijues dhe inspirues për shumë gjenerata.

Piktorja Zake Prelvukaj ka thënë se Gjokaj është një ndër artistët që e ka përcjellë vetveten pa ndikimin e artistëve të tjerë. E ka cilësuar si prijësin e grafikës shqiptare.

Profesori i Fakultetit të Arteve, Eshref Qahili, ka thënë se emri i Gjelosh Gjokajt flet shumë për artin kosovar. Sipas tij janë të rrallë artistët që jetojnë nga arti.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Bunjaku-Agani, ka thënë se ekspozita është organizuar ad-hoc. Ka thënë se artistët shqiptarë kanë pasur rastin të inspirohen jo vetëm nga arti i Gjokajt, por edhe nga personaliteti i tij mbresëlënës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...