28 Shtator 2016 - 10:43
Për dallim prej shfaqjeve të tjera, aktorët kanë nisur ta prezantojnë atë që kanë luajtur. Kanë treguar se herë do të jenë kafshë e herë njerëz. Ky ishte edhe paralajmërimi se kafshët dhe njerëzit nuk dallojnë shumë në shfaqje. E komedia shpesh portretizon institucionet publike të Kosovës. Aktorja Shengyl Ismajli ka thënë se donatorët nuk e kanë përkrahur projektin pa e pasur një femër në shfaqje. Kësisoj ka ironizuar edhe me kuotat gjinore në institucione që shpesh bëhen sa për sy e faqe.

“Evropa është në krizë”, është fjalia e parë me të cilën ka nisur shfaqja. Shpejt është rrëfyer se pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, tashmë është radha e Kosovës që t’ia mësyjë unionit të shteteve të Evropës. Institucionet dhe e gjithë shoqëria vihen në aksion për t’i plotësuar kushtet e për të shtuar pikë për Kosovën. Kriteret duhet t’i plotësojë edhe thertorja “Tony Blair” në Prishtinë. Pos të tjerash, atyre u duhet të marrin edhe një vulë që është pjesë e dokumentit të BE-së “Kosova dhe 3 mijë rregullat e lehta të rrugës evropiane”. Por vula është tejet problematike.
Në shfaqjen “Një shfaqje teatri me 4 aktorë, me disa derra, me disa lopë, me disa kuaj, me një kryeministër, me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë”, pronarët e mishtores heqin të zitë e ullirit për atë vulë. Sorollaten në krejt objektin qeveritar. E ironia del në pah kur në administratën e shtetit gjejnë edhe kuaj të punësuar. Ajo paraqitet në një formë edhe si kopsht zoologjik. Mitmarrja duket tejet e zakonshme. Bëhet “për interes të kombit”. Kësisoj, kasapët detyrohen që të gënjejnë se po shesin mish lope e në të vërtetë therin kuaj.
Si prodhim i qendrës “Multimedia”, shfaqja nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt e me tekst të dramaturgut Jeton Neziraj ironizon skajshëm me gjendjen në Kosovë e në Evropë.
Në shfaqjen ku pos Shengyl Ismajlit luajnë edhe Adrian Morina, Ernest Malazogu dhe Shpetim Selmani, kryeministri iu drejtohet njerëzve dhe lopëve. Lajmëron se një lopë ka hyrë lirshëm në shtetin fqinj, Serbi. Por në thertore takohen një lopë vendëse dhe lopa e mbajtur mirë “Milka”, ajo e reklamave të markës së njohur të çokollatave. “Milka” rrëfen për jetën e lumtur dhe e fton lopën kosovare të udhëtojnë bashkë.
“Nëse nuk ju ka pëlqyer shfaqja, ankohuni në Bruksel”, ka thënë aktorja Shengyl Ismajli, duke përmbyllur lojën midis kafshëve dhe njerëzve (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...